Trump sulmon publikisht Starmer: Nuk ishte i dobishëm, marrëdhënia nuk është e njëjtë

03/03/2026 07:43

Presidenti amerikan Donald Trump ka sulmuar publikisht kryeministrin britanik Keir Starmer, duke e cilësuar si “jo të dobishëm” në lidhje me sulmet e SHBA-së ndaj Iranit.

Në një intervistë për The Sun, Trump u shpreh i zhgënjyer nga qëndrimi i Londrës.

Nuk ka qenë i dobishëm. Nuk mendova kurrë se do ta shihja këtë nga ai. Nuk mendova kurrë se do ta shihja këtë nga Mbretëria e Bashkuar,” tha ai, duke shtuar se është “shumë e trishtueshme të shohësh që marrëdhënia padyshim nuk është ajo që ishte”.

Dje, Starmer deklaroi se qeveria britanike “nuk beson në ndryshimin e regjimit nga qielli”, duke sinjalizuar një distancim nga një përshkallëzim i mëtejshëm ushtarak.

Fillimisht, Mbretëria e Bashkuar nuk lejoi përdorimin e bazave të saj nga SHBA për sulme ndaj Iranit, por më pas hapi bazat për operacione që i cilësoi si “mbrojtëse”.

Në të njëjtën intervistë, Trump theksoi se Franca ka qenë “e shkëlqyer”, duke shtuar se “të gjithë kanë qenë të shkëlqyer”, përveç Mbretërisë së Bashkuar, e cila sipas tij “ka qenë shumë ndryshe nga të tjerat”.

Deklaratat e fundit sinjalizojnë një ftohje të marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Londrës, në një moment kritik për sigurinë ndërkombëtare dhe për koordinimin mes aleatëve perëndimorë.

Top Channel