Orges Shehi është sërish trajner i Klubit të Futbollit Tirana.

Tekniku durrsak rikthehet në krye të bardhebluve në një moment delikat të sezonit, duke u bërë kështu njëri nga emrat më të lidhur me historinë e fundit të skuadrës më të titulluar shqiptare.

Shehi e njeh mirë Tiranën dhe Tirana e njeh mirë atë. Gjatë mandatit të tij të parë, tekniku drejtoi bardheblutë për më shumë se dy vjet e gjysëm, nga janari i vitit 2021 deri në tetorin e vitit 2023, duke drejtuar mbi 120 ndeshje zyrtare. Në këtë periudhë, Tirana fitoi titullin kampion të Kategorisë Superiore dhe Superkupën e Shqipërisë, duke e bërë Shehun trajnerin më jetëgjatë të bardhebluve prej dekadash. Shifrat tregojnë një bilanc pozitiv me mbi 60 përqind fitoresh gjatë drejtimit të tij.

Pas largimit nga Tirana, Shehi mori drejtimin e Ballkanit të Kosovës, por rruga e tij kthente sytë gjithmonë nga Tirana.

Tani është zyrtare. Dhe deklarata e parë erdhi ekskluzivisht për gazetarin Endi Tufa të Top Channel. “Ishte zgjedhje zemre dhe tifozllëku. Do të përpiqemi të kalojmë këtë situatë kritike,” tha Shehi, fjalë të pakta, por me peshë të madhe për tifozët bardheblu që presin ringritjen. Kontrata paraprake do të jetë deri në fund të sezonit, për tu përpjekur të kalojë këto vështirësi dhe siç thotë vetë trajneri durrsak: “Tirana nuk e meriton këtë situatë dhe këtë pozicion…

Situata në klasifikim e bën këtë rikthim edhe më të rëndësishëm. Drejtuesit e Tiranës kanë zgjedhur përvojën dhe njohurinë e brendshme mbi çdo alternativë tjetër. Shehi ka pranuar sfidën. Tani fillon puna.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB