Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, priti sot në Kryesinë e Kuvendit delegacionin e Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Europian, AFET, të kryesuar nga Kryetari David McAllister.
Takimi u zhvillua në kuadër të vizitës për njohjen nga afër me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Peleshi dhe anëtarët e delegacionit zhvilluan një diskutim të hapur mbi arritjet, sfidat dhe hapat e mëtejshëm të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në BE, si dhe mbi zgjerimin e bashkëpunimit të Kuvendit me Parlamentin Europian dhe AFET për përshpejtimin e këtij procesi.
Kryeparlamentari vlerësoi mbështetjen e qëndrueshme të Parlamentit Europian dhe theksoi se zgjerimi i BE-së përbën një investim për sigurinë, stabilitetin dhe të ardhmen e Europës.
Ai nënvizoi se Shqipëria ndodhet tashmë në një fazë të re të procesit, duke kaluar nga integrimi drejt anëtarësimit, ndërsa Kuvendi ka ndërmarrë ndryshime ligjore dhe ristrukturime për të forcuar rolin e tij në këtë proces.
“Kuvendi ka luajtur një rol qendror përmes miratimit të një sërë ligjesh që afrojnë legjislacionin shqiptar me acquis të BE-së dhe përmes forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe konsensusit politik e parlamentar për anëtarësimin në familjen europiane”, theksoi Peleshi.
Gjithashtu, kryeparlamentari riafirmoi përputhjen e plotë të politikës së jashtme të Shqipërisë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, duke theksuar se vendi mbetet një partner i besueshëm dhe i angazhuar në kampin euroatlantik.
Top Channel