“E sigurt që nuk je në epokën e gabuar?!”/ Deklarata e Merz për Europën, Kremlini e krahason me Hitlerin: Jemi në 2026-ën, jo 1933
Disa modele të OnlyFans janë përballur me akuza për “sjellje të pahijshme” dhe mund të përballen me dënime të mundshme me burg në Turqi, pasi akuzohen për postimin e përmbajtjes seksuale dhe kërkimin e pagesave për të parë ato.
Autoritetet turke kanë arrestuar të paktën 17 modele në një aksion të gjerë që ka përfshirë Stambollin dhe shtatë qytete të tjera turke.
Hetuesit njoftuan se kishin urdhra ndalimi për katër influencuese të njohur turke – Merve Taskın, Gizem Bagdacicek, Burcin Erol dhe Serpil Cansiz, por ato nuk u arrestuan pasi ndodhen aktualisht jashtë vendit.
Një hetim për pastrim parash dhe sjellje të pahijshme u nis pasi autoritetet zbuluan se OnlyFans, i cili është i ndaluar në Turqi që nga qershori 2023, po aksesohej ende nga përdorues që përdornin IP të modifikuara.
Kjo platformë, e njohur për përdorimin nga yjet e industrisë përmbajtjes për të rritur, u shpall e papërshtatshme për moralin publik dhe strukturën familjare turke.
Sipas akuzave të policisë, të dyshuarat përdorën llogari publike në rrjetet sociale për të shpërndarë përmbajtje seksuale dhe më pas i inkurajuan përdoruesit të paguanin për “përmbajtje speciale”.
Hetuesit njoftuan gjithashtu se të dyshuarat, jo vetëm që shpërndanë përmbajtje të tillë në platforma të hapura, por morën para për postimet e tyre. Ato më pas investuan këto para në pasuri të paluajtshme, si dhe në bitcoin.
Një numër aksionesh të koordinuara janë zhvilluar herët të premten, ku 17 modele janë arrestuar, ndërsa urdhra ndalimi janë lëshuar për gjithsej 25 të dyshuara. Arrestimet u realizuan në Stamboll, si dhe në qytetet Adana, Ankara, Antalya, Edremit, Golcuk dhe Samsun.
Gjatë kontrollimeve, policia sekuestroi gjithashtu 5 milionë paund (300 milionë lira turke) dhe dy kompani.
Përveç kësaj, janë konfiskuar 10 prona dhe 14 automjete, të cilat janë shënuar si prova në hetim. Hetimi është një operacion i përbashkët i Zyrës së Prokurorit Publik të Stambollit dhe Njësisë së Krimeve Kibernetike të Policisë së Stambollit.
Top Channel