Paul Pogba, telashet nuk kanë të sosur; jashtë fushave të lojës pa afat dhe Monaco e heq nga lista e Champions

04/02/2026 23:43

Paul Pogba nuk po mund të gjejë qetësi. Pasi përfundoi periudhën e skualifikimit për doping, mesfushori francez u kthye të luajë futboll duke u transferuar te Monaco. Por eksperienca e tij te skuadra e Principatës deri tani ka qenë e karakterizuar nga dëmtime që nuk e kanë lejuar të luajë në mënyrë të vazhdueshme.

Dhe tani vjen një dëmtim tjetër për të cilin Drejtori i Përgjithshëm i Monaco, Thiago Scuro pranoi se nuk ka parashikime për kohën e riaftësimit të plotë të mesfushorit. Klubi ndërkaq vendosi të mos e përfshijë futbollistin në listën e Ligës së Kampioneve në fazën me eliminim direkt.

I ardhur me parametra zero në fund të qershorit pasi kreu dënimin me 18 muaj skualifikim për doping, ish futbollisti i Juventusit dhe Manchester United pësoi një sërë dëmtimesh që e penguan të rihyjë në planet e skuadrës. Në fakt deri tani Pogba ka luajtur vetëm 30 minuta me Monaco, në 3 ndeshje të Ligue 1. Më pas u dëmtua në pulpën e majtë në mesin e muajit dhjetor dhe që nga ai moment nuk është rikthyer në skuadër. Kur do të mund të kthehet? ‘Nuk ka një përgjigje të saktë për këtë pyetje-u përgjigj Scuro-ashtu si për çdo dëmtim, hapi i parë është kthimi në fushë, më pas vazhdohet me stërvitjen për të rikuperuar formën fizike të nevojshme për të luajtur. I gjithë reparti mjekësor është përqendruar në kërkim të zgjidhjeve’.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB