Që nga momenti që u rebelua, Cristiano Ronaldo u zhduk aq sa në Arabinë Saudite u shfaqën letra me foton e futbollistit të shoqëruar me frazën ‘Kërkohet’ një imazh që bëri xhiron e botës gjatë gjithë kësaj të mërkure. Por vetëm pak orë përpara 41 vjetorit të tij të lindjes, Cristiano Ronaldo e zgjidhi vetë misterin duke u kthyer.

Cristiano Ronaldo ditët e fundit bëri një protestë që tronditi Arabinë Saudite pak përpara se të zyrtarizohej kalimi i Benzema te Al Hilal në castet e fundit të merkatos. Dhe po atë ditë ai e vuri në zbatim vendimin e tij dhe nuk hyri në fushën e lojës në ndeshjen mes Al Nassr ndaj Al Riyadh në një ndeshje të rëndësishme në garën për titull në Saudi Pro League.

Mbështetja nga Al Nassr ishte në nivelet më të larta. Që nga shokët e tij të skuadrës e deri te drejtuesit e klubit e trajneri Jorge Jesus. Solidariteti ishte i tillë sa në përfundim të ndeshjes askush nga Al Nassr nuk dha deklarata për median për një qartësim të mundshëm të situatës që u turbullua akoma më shumë me kalimin e orëve.

Kishte zëra që arritën deri aty sa të thonin se kishte braktisur Riadin dhe se shkoi në Portugali. Të tjerë e përgënjeshtronin. Por në të gjithë botën u bë jehonë për lajmin se Cristiano Ronaldo po mendonte largimin nga Al Nassr duke ekzekutuar klauzolën e kontratës prej 50 milionë euro që u përfshi në kontratën e re deri në 2027 që u nënshkrua në muajin qershor të vitit të kaluar.

Misteri rreth tij ka qenë shumë i madh në orët e fundit, por vetë Cristiano Ronaldo vendosi të fashisë gjithçka duke u kthyer në stërvitje me Al Nassr. Ky është mesazhi që ai ka dashur të japë me postimin në rrjetet sociale foton e tij të shoqëruar me emojin e dy zemrave me ngjyrë të verdhe dhe blu që janë ngjyrat e skuadrës së Al Nassr.

Tani pritet të mësohet nëse ditën e premte do të jetë në skuadër për sfidën me Al Ittihad apo jo. Por ajo që është e sigurt dhe e rëndësishme është se Cristiano Ronaldo është kthyer.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB