Roma; jo vetëm Benfica dhe Monaco, edhe Como nis lëvizjet për yllin e verdhekuqve…
Me Interin përpara TV për të shijuar spektaklin, kjo e diel e Serie A ka rezervuar dy supersfida që mund të vendosin një pjesë të mirë të sezonit për të 4 skuadrat protagoniste. Juventus dhe Napoli do të jenë skuadrat e para që do të zbresin në fushë me sfidën mes tyre me Spallettin dhe Conten që luajnë një vend në Ligën e Kampioneve dhe me të kaltrit që duan të mbajnë njëkohësisht ende shpresa për titullin. Më pas në Olimpico do të jetë radha e Roma-Milan.
JUVENTUS-NAPOLI
Fotografia e fundit e Juventusit është ajo e një skuadre që feston pas fitores 2-0 ndaj Benfica në Ligën e Kampioneve, por në kampionar imazhet më të fundit janë ato të humbjes kundër Cagliarit. Luciano Spalletti dëshiron të shohë versionin e së mërkurës për skuadrën e tij, sidomos përsa i përket rezultatit final. Një fitore ndaj Napolit do të vlente dyfish, por duke parë klasifikimin bëhet thuajse një detyrim për Juventusin; Como shkatërroi Torinon me rezultatin tenistik 6-0 dhe për momentin bardhezinjtë e shohin veten në vendin e 6. Për këtë arsye, 3 pikët ndaj skuadrës së Antonio Contes marrin një peshë shumë të madhe, sepse vendi i katërt, është objektivi minimal i këtij sezoni për Juventusin.
Edhe për këtë arsye, Juventus synon që të ketë në fushën e lojës që nga fillimi Fransisco Conceiçao. Një tjetër interpretues në mesfushën e avancuar është i paprekshmi Yildiz që ka një takim me historinë. Pas golit të shënuar në Maradona, turku ëndërron të barazojë sulmuesit e mëdhenj të historisë së Juventusit; Ronaldo, Del Piero, Kovacevic dhe Ravanelli, të vetmit që kanë qenë vendimtarë në të dyja përballjet e një sezoni kundër napoletanëve. Në sulm si pikë referimi është akoma David që është në avantazh ndaj Opendës, ndërsa në mesfushë dyshja Locatelli-Thuram shkon drejt konfirmimit me Koopmeiners si alternativë e parë nga stoli. Në mbrojtje Bremer dhe Kelly do jenë sërish në qendër bashkë me Kalulu dhe Cambiaso në krahë. Në portë do të jetë Di Gregorio. Në krahun tjetër Napoli ka një skuadër të përgjysmuar pasi lista e të dëmtuarve është e gjatë, por skuadra kampione e Italisë është e vendosur të shkojë në Torino për të sfiduar me vendosmëri Juventusin.
Antonio Conte, pas zhgënjimit të madh në Copenhagen kërkon maksimumin nga skuadra e tij. Conte shikon grupin e tij me futbollistë të lodhur, por gati të japin gjithçka në pritje të rikthimit të të disa të dëmtuarve mes të cilëvë Lukaku që ka dëshirë të luajë për disa minuta pas 5 muajve . Në Torino pas largimeve të Lucca dhe Lang, sulmi i Napolit është me numër të reduktuar duke parë edhe dëmtimin e Neres që do të operohet dhe do të qëndrojë jashtë fushave për 2 muaj. Napoli këtë të shtunë mori Giovane nga Verona që kreu vizitat mjekësore dhe u bashkua me skuadrën. Kështu për Hojlund nuk ka zëvendësues të vërtetë për t’i dhënë mundësinë rë marrë fryme, teksa klubi vazhdon të punojë në merkato duke kërkuar një tjetër sulmues. Ndërkaq në janar McTominay është shndërruar në një bomber teksa ka shënuar 4 gola, i fundit në Danimarkë dhe tani e menaxhon mirë pozicionin në mesfushë, një pozicion më i tërhequr.
ROMA-MILAN
Tjetër ndeshje e madhe e kësaj të diele është ajo e mbrëmjes në Olimpico mes Romës dhe Milanit, është një udhëkryq për sezonin e Massimiliano Allegrit dhe Gian Piero Gasperinit; i pari kërkon të përforcojë akoma më shumë vendin në zonën champions (duke përfituar edhe nga sfida direkte mes Juventus e Napolit) dhe t’i përgjigjet fitores 6-2 të Interit ndaj Pisas me zikaltrit që janë shkëputur për momentin në +6 pikë nga kuqezinjtë. Në anën tjetër, Gasperini kërkon të ruajë atë pozicion që do të kthente verdhekuqtë në kompeticionin kryesor evropian pas 6 vitesh e sidomos kërkon fitoren e parë ndaj një skuadre të madhe të kampionatit për të përshpejtuar procesin e rritjes dhe vetëdijshmërine e skuadrës së tij.
Milani do të zbresë në fushë për të mos lejuar Interin të arratiset, por te kuqezinjtë, Allegri këmbëngul se vendi i katërt është objektivi i këtij sezoni, ndërkohë nga infermieria vjen lajmi i mirë i rikuperimit te Saelemaekers. Roma-Milan është edhe ndeshja e Paulo Dybala. Me Milanin, argjentinasi ka një llogari të hapur dhe jo vetëm se është skuadra e katërt ndaj së cilës ka shënuar më shumë gola, 10 deri në këtë moment, por sepse sfida në Olimpico do të shërbejë për të fshirë hidhërimin e humbjes së pësuar në San Siro në fazën e parë, një ndeshje ku argjentinasi pak minuta nga fundi i ndeshjes gaboi një penallti që do të kishte barazuar rezultatin madje edhe duke u dëmtuar më pas, një dëmtimn që erdhi në momentin më të mirë të tij. Paulo Dybala tani është në formë shumë të mirë dhe me Milanin do të jetë titullar.
Përkrah tij do të jetë Soule ose Pellegrini dhe në majë të sulmit do të jetë Malen, që erdhi vetëm javën e kaluar në Rome dhe që në ndeshjen e parë, atë me Torinon shfaqi një kimi në fushën e lojës me Dybalën. Shpresa e të gjithëve në Trigorka është që kjo alkimi të zgjasë dhe të përmirësohet sepse objektivi është kualifikimi i Romës në Ligën e Kampioneve, kompeticion ku verdhekuqtë mungojnë që nga 2019.
Pozicionimi mes 4 më të mirëve do të thotë përshpejtim i projektit të nisur këtë verë nga Friedkin dhe nën drejtimin e Gasperinit. Duke u kthyer tek e tashmja, Roma ka rikuperuae Mancini dhde Ferguson, i pari do të jetë titullar me Ndicka dhe Ghilardi, i dyti do të jetë në stol për t’i lënë vendin Malen, por në ndeshjen me Stuttgart ai ka treguar se edhe Roma B po rritet.
Top Channel