Mbrëmjen e kësaj të diele, Milani do të luajë ndaj Romës në Olimpico, një ndeshje që është shumë e rëndësishme për të besuarit e Massimiliano Allegrit që do të duhet të fitojnë ndaj verdhekuqve për të mbajtur ritmin e Interit, por edhe për të marrë pikë me peshë për zonën Champions duke qenë se Roma është vetëm 4 pikë prapa në klasifikim.

‘Vizita e pronarëve ka qenë një kënaqësi për të gjithë, është një moment kyç i sezonit ku në lojë është objektivi ynë final; kualifikimi në Champions-tha Allegri-ne duhet të mendojmë për fushën e lojës, do të përballemi me një skuadër që është rivali ynë direkt për 4 vendet e para. Gasperini po bën një punë shumë të mirë, Roma është shndërruar në një skuadër e cila në fushë pasqyron trajnerin e saj; është agresive, shumë e zonja në të dyja fazat, është mbrojtja më e mirë e kampionatit. Duhet të jemi të zotët, duke ditur se na pret një ambient i zjarrtë, do të duhet të bëjmë një ndeshje shumë teknike’.

Trajneri kuqezi foli edhe për të dëmtuarit në skuadër duke bërë edhe një bilanc

‘Saelemaekers një ditë më parë ishte më mirë, Leao ka akoma ndonjë problem të vogël, por do të jetë në dispozicion-vijoi Allegri-e njëjta gjë vlen edhe për Fullkrug. Gimenez? Do të jetë një burim i rëndësishëm për ne në fazën finale të sezonit’

Më pas Allegri e ktheu sërish vëmendjen e kundërshtarët e sidomos Paulo Dybala

‘Roma nuk është një surprizë-tha trajneri kuqezi-Dybala? Me Paulon kam pasur miqësinë që të punoj, erdhi te Juventus kur ishte ende një fëmijë. Ka një teknikë të jashtëzakonshme, është shumë inteligjen. Në Europa League dha një pasim që duket i lehtë, por nga kontrolli te pasimi nuk kaloi as gjysmë sekondi. Ka cilësi të rëndësishme, nuk ka shumë lojtarë si ai vërdallë. Me Malen mund të ketë avantazh sepse me një pikë referimi përpara mund të bëjë manovrat e tij’.

Ndërsa për garën e vendit të katërt Allegri shtoi: ‘Janë 4 skuadra për 3 vende, Interi ka një projeksion prej 90 pikësh. Shpresoj që skuadrat në Evropë të shkojnë sa më larg që të munden, kështu do të jenë 5 skuadra në Champions, përndryshe njëra prej nesh do të mbetet jashtë’

Allegri foli edhe për lëvizjet në këtë sesion të merkatos së skuadrës së tij

‘Ardhja e menjëhershme e Fullkrug ishte një blerje e goditur-shtoi tekniku livornez-na dha menjëherë një ndihmë të madhe. Klubi po punon, unë jam shumë i kënaqur me skuadrën. Ose do ta përmirësojmë, ose do të mbetemi kështu. Të rinjtë e marrë në verë po përmirësohen. Athekame është përshtatur mirë, Odogu po përmirësohet edhe në stërvitje. Është e rëndësishme që të jetë kjo qasje në ndeshje dhe të kesh bindjen drejt objektivit që e përsëris është një prej 4 vendeve të para. Këtë vit për një vlerë teknike dhe ekonomike është e nevojshme që t’ia dalim. Nuk do të thotë se na takon me të drejtë, por se është e nevojshme ta fitojmë hap pas hapi. Është shumë e rëndësishme në kampionatin italian për një skuadër që të marrë pjesë në Champions League; ato para shërbejnë për të menaxhuar merkaton dhe të kemi një të ardhme më të mirë në krahasim me situatën ku ndodhemi. Duhet t’i bëjmë hapat me radhë, objektivi është të hyjmë mes 4 ekipeve të para dhe për ta arritur duhet të lodhemi shumë dhe të mos flasim’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB