Spektakël në San Siro, Inter shkatërron Pisa me rezultatin tenistik 6-2, i shkëputet përkohësisht Milanit

23/01/2026 22:51

Interi dhuroi spektakël ndaj Pisa në sfidën e kësaj jave në San Siro. Skuadra e Cristian Chivu iu imponua asaj të Alberto Gilardinos duke e mundur me rezultatin tenistik 6-2 dhe vazhdon të jetë e qetë në krye të renditjes. Dhe të mendosh që fillimi ishte katastrofik për Interin

Në fakt Pisa i befasoi të gjithë, teksa në minutën e 10 me Moreon që shfrytëzoi një gafë të portierit Sommer dhe duke parë daljen e zviceranit me një gjuajtje nga distanca dërgoi topin në rrjetë duke i dhënë avantazhin skuadrës së Gilardinos. Por 13 minuta më vonë tifozët në San Siro ngrinë të gjithë teksa panë që Pisa shënoi edhe golin e dytë, sërish me Moreon duke e çuar rezultatin në 2-0. Gjithsesi Interi nuk e humbi toruan dhe nisi ofensivën në zonën e skuadrës mike dhe në minutën e 39 shkurtoi diferencën në rezultat me një penallti të ekzekutuar saktë nga Zielinski, ndërsa 2 minuta më vonë, Lautaro Martinez barazoi rezultatin në 2-2. Ai që ktheu përfundimisht qetësinë te zikaltrit ishte Pio Esposito që në minutat shtesë shënoi golin që përmbysi gjithçka duke e çuar rezultatin në 3-2 për Interin dhe me këto shifra u mbyllën edhe 45 minutat e para të sfidës.

Në pjesën e dytë vijoi dominimi i Interit që kërkoi të shënojë sërish në portën e Pisas. Por kjo e fundit në një moment të caktuar arriti të rrezikojë me Canestrelli por këtij të fundit i mungoi saktësia. Gjithsesi Interi i kishte frenat e lojës në dorë dhe vijoi sulmet e tij dhe në minutën e 82 e gjeti më në fund golin e shumëpritur me Dimarcon duke e çuar rezultatin në 4-2. Historitë e kësaj ndeshjeje nuk u mbyllën këtu pasi Bonny plotësoi manitën duke e çuar rezultatin në 5-2 për Interin, ndërkohë që pati kohë edhe për Mkhitaryan që vulosi fitoren 6-2 për zikaltrit që e çojnë në 6 pikë për momentin diferencën me Milanin e vendit të dytë, ndërsa Pisa mbetet në vendin e fundit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB