Këtë të dielë është rezervuar supersfida e Serie A mes Juventusit dhe Napolit që brenda saj ka edhe duelin mes Luciano Spallettit dhe Antonio Contes.

Kur lexon emrat, është e paevitueshme të mendohet; kushedi sa herë janë përballur mes tyre këta dy trajnerë. Por në fakt nuk është kështu.

I vetmi precedent mes tyre është ndeshja e këtij sezoni në Serie A, përpara një muaji e gjysmë në Maradona Stadium dhe që u fitua nga Napoli i Antonio Contes 2-1.

Por duke zgjeruar fushën e kërkimit, spikat një përballje e mëhershme në një turne veror, nga ato turne që vlejnë për të arkëtuar të ardhura dhe jo për klasifikimin; në 29 korrik 2017, Interi i Spallettit në Singapor fitoi ndaj Chelsea të Contes 2-1. është edhe një e kaluar tjetër ku Conte, në rolin e asistentit të Gigi Di Canios në stolin e Sienës, në 2 tetor të 2005, fitoi në Olimpico 3-2 ndaj Romës së Spallettit.

Është ky një rast anomal për dy trajnerë profesionistë dhe që kanë një kurrikulum të pasur, por duhet pasur parasysh se që të dy për një periudhë kanë drejtuar edhe Kombëtaren italiane dhe që të dy për disa vjet kanë punuar jashtë Italisë, Spalletti në Rusi dhe Conte në Premier League. Por surprizat e vërteta vijnë duke bërë llogarinëe sfidave që dy trajnerët kanë zhvilluar kundër kundërshtarëve respektive.

SPALLETTI KUNDËR NAPOLIT-Në total janë 18 ndeshje, 8 fitore, 5 barazime dhe 5 humbje. Hera e fundit e Spallettit kundër Napolit ishte një disfatë. Por akoma më keq shkuan gjërat për të në sezonin  2018-19, kur Interi i tij u shkatërrua nga Napoli i Carlo Ancelottit 4-1, pasi kishte fituar ndeshjen e fazës së parë në San Siro 1-0 me golin e Lautaro Martinez. Por duke u kthyer më pas në të kaluarën, bie në sy arritja e madhe e sezonit 1997-98 kur ishte ende një trajner i ri me Empolin, skuadra e tij fitoi 5-0 ndaj Napolit, por në Napoli i asaj kohe ishte një botë krejt tjetër teksa zbriti në Serie B në fund të sezonit.

 CONTE KUNDËR JUVENTUSIT-Në total janë 11 ndeshje, me bilanc 3 fitore, 2 barazime dhe 6 humbje. E dhëna më befasuese është që Antonio Conte ka një bilanc negativ kundër Juventusit, skuadër të cilën ai e ka drejtuar për 3 sezone duke fituar 3 tituj kampionë. Një bilanc negativ që do të ishte akoma më keq nëse nuk do të kishte fituar në fazën e parë me rezultatin 2-1

Deri përpara një viti, e vetmja fitore kundër Juventus ishte ajo e marrë me Interin 2-0 në 17 janarin e 2021 me golat e Vidal dhe Barellas. Humbja e fundit nuk ishte shumë e hidhur sepse në po të njëjtin sezon, Interi i Contes humbi në Allianz Stadium 3-2 kundër Juventusit të Pirlos, por gjithsesi, zikaltrit fituan titullin me një avantazh të dukshëm kundrejt rivalëve. Na paraqitet një panoramë e tillë; traditë spallettiana e favorshme dhe traditë contiane e disfavorshme. Por në momentin që skuadrat do të zbresin në fushën e lojës e gjithë kjo nuk do të ketë asnjë rëndësi. Ajo që do të ketë rëndësi do të jetë dëshira për të besuar akoma si te njëra skuadër ashtu edhe te tjetra, pavarësisht problemeve të shumta të të dy trajnerëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB