“Po punoj për Groenlandën”/ Shefi i NATO-s, Mark Rutte: Diplomacia e menduar mirë, e vetmja rrugë e zgjidhjes

21/01/2026 19:31

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se mënyra e vetme për zgjidhjen e krizës rreth Groenlandës është “diplomacia e matur”, duke shtuar se po punon “në prapaskenë” për këtë çështje.

Kreu i aleancës ushtarake perëndimore, i cili po merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, refuzoi të komentojë lidhur me synimet e presidentit amerikan, Donald Trump, për ta marrë nën kontroll këtë ishull, duke theksuar se diplomacia është më e rëndësishme sesa deklaratat publike.

“Ju siguroj se për këtë çështje po punoj në prapaskenë. E vetmja mënyrë për ta zgjidhur krizën është diplomacia e menduar mirë”, tha shefi i NATO-s gjatë një paneli në Davos.

Duke folur në panel, Rutte theksoi se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj aleancës, por shtoi se Amerikës i duhet “një Evropë e sigurt dhe një Arktik i sigurt”. Ai theksoi se, sa i përket Arktikut, pajtohet me presidentin amerikan.

“Duhet ta mbrojmë Arktikun nga ndikimi rus dhe kinez”, tha Mark Rutte.

Groenlanda, territor i Danimarkës me rreth 57.000 banorë, nuk është anëtare e pavarur e NATO-s, por mbulohet nga anëtarësimi i Danimarkës në këtë aleancë ushtarake. Një përpjekje për marrjen nën kontroll të Groenlandës do të përbënte rastin e parë në historinë e NATO-s që një aleat të cenojë territorin e një shteti tjetër anëtar të aleancës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB