Moti i keq në Greqi, shënohen dy viktima, dëme dhe përmbytje në Athinë dhe në zonat bregdetare

21/01/2026 20:32

Moti i keq që ka përfshirë Greqinë ka shënuar dy viktima.

Viktima e parë është një roje bregdetare i cili u mbyt në tentativë për të lidhur dhe siguruar motoskafin e shërbimit në zonën Astros të Peloponezit.

Viktima e dytë është një grua e cila u gjet e vdekur në zonën Glifadha të Athinës. Dëshmitarë okularë thanë se viktima u godit nga një makinë që ishte rrëmbyer prej ujit të shirave të shumta që ranë gjatë mbrëmjes të së mërkurës.

Më herët stuhia goditi gjithë vendin ndërsa dëme janë shënuar në ishullin e Gavdos në jug të Kretës si dhe në shumë zona të Peloponezit, Atikës dhe Evias.

Meteorologët paralajmëruan shtrëngata shiu dhe reshje dëbore në zonat malore, ndërsa reshjet e dendura të shiut do të vazhdojnë deri paraditen e së enjtes, më pas pritet pakësimi i tyre.

Mbrojtja civile u kërkoi banorëve të zonave në rrezik të mos dalin nga banesat e tyre nëse nuk kanë një shkak serioz ndërsa gjithë mekanizmi shtetëror është vënë në alarm.

Pamjet janë marrë nga qendra e Athinës ku reshjet e dendura kanë përmbytur rrugë dhe kryqëzime si dhe nga zona e Patrës ku era e fortë ka pezulluar kalimin lundrimin nga dhe drejt porteve të Jonit dhe drejt Italisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB