Në Gramsh kanë nisur punimet për rikonstruksionin e stadiumit ‘Myslim Koçi’, një investim ky që po kryhet nga Federata Shqiptare e Futbollit në bashkëpunim me Bashkinë e qytetit. Një projekt që synon krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e aktiviteteve sportive.

Presidenti i FSHF, Armand Duka zhvilloi një vizitë në Gramsh ku u takua me kryetarin e Bashkisë, Besion Ajazi për të inspektuar më pas edhe punimet për rikonstruksionin e stadiumit që parashikon rikonstruksionin e dhomave të zhveshjes, ndërtimin e tribunës së re, modernizimin e ambienteve ndihmëse, si edhe instalimin e tapetit me bar artificial në fushën e impiantit, duke e përshtatur atë me standardet bashkëkohore për zhvillimin e ndeshjeve dhe stërvitjeve.

‘Dua ta falënderoj kryetarin e bashkisë për bashkëpunimin në ndërtimin e stadiumit, por jo vetëm kaq, por për të gjithë bashkëpunimin në zhvillimin e futbollit edhe në këto anë, sepse futbolli nuk luhet vetëm në Tiranë, Durrës apo në qendrat e mëdha urbane, por duhet të luhet në çdo cep të Shqipërisë, në çdo cep të globit-tha ndër të tjerat presidenti Duka në një prononcim për fshf.org-Kënaqësi që ju keni 250 fëmijë që luajnë futboll në zonën e Gramshit, keni një ekip vajzash që është nga më kualitativët në kampionatin kombëtar shqiptar dhe uroj që të kemi edhe me djemtë të njëjtin sukses që keni edhe me vajzat. Jam shumë i sigurt që stadiumi i ri dhe fusha tjetër që do të bëhet për stërvitje pas stadiumit, do t’i shërbejë jo vetëm ekipit të vajzave, por edhe ekipit të djemve për të shkuar akoma më përpara’.

Ndërsa Kryetari i Bashkisë së Gramshit, Besion Ajazi e falenderoi kreun e FSHF për mbështetjen e dhënë zhvillimin e futbollit në Gramsh, duke e përkufizuar stadiumin e ri si një investim shumë të rëndësishëm për qytetin, ekipet dhe moshat e reja.

‘Shumë faleminderit President. Faleminderit edhe për vizitën, inspektimin në këtë fazë të fillimit të punimeve, por doja t’ju falënderoja shumë për mbështetjen që i keni dhënë Gramshit dhe sportit këtu, veçanërisht dhe ekskluzivisht futbollit. Është një investim shumë i rëndësishëm për qytetin tonë, është një investim shumë i rëndësishëm për ekipin, por edhe për moshat deri në arritjen e bërjes së realizimit të një projekti tjetër, ndoshta një kompleks sportiv stërvitor. Edhe moshat do të kenë mundësi ta përdorin stadiumin dhe ambientet e reja të stadiumit të qytetit tonë-tha në fjalën e tij Kryetari i Bashkisë së Gramshit-Është një investim shumë i rëndësishëm, një investim që i shërben brezave dhe fëmijëve që të kenë mundësi ta përdorin në kohën dhe mënyrën më të shëndetshme të mundshme, larg veseve të këqija’.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB