Alda Bardhyli, drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, në një intervistë për Erisa Lilën, tregon për librin më të mirë dhe dy autorin që sipas studiueses, dominuan në vitin që lamë pas.
Ndër të tjera, Bardhyli shprehet se kultura shqiptare në vitin 2026 hyn në një fazë vendimtare rikonfigurimi. Sipas saj, ajo do të vazhdojë të lëvizë mes dy poleve: ruajtjes së trashëgimisë dhe presionit të modernitetit global.
Intervista e plotë
Libri më i mirë që keni lexuar në 2025?
The Loneliness of Sonia and Sunny – nga Kiran Desai. Një roman i cili i reziston sentimentalizmit. Forca e tij qëndron në mënyrën se si e trajton vetminë jo si problem emocional, por si gjendje themelore njerëzore. Sonia dhe Sunny nuk janë personazhe që kërkojnë zgjidhje të mëdha; ato kërkojnë kuptim në detaje të vogla, në marrëdhënie të papërsosura, në kujtime që nuk i lënë rehat. Ato na mësojnë të pranojmë se pjekuria emocionale vjen atëherë kur pranojmë se disa boshllëqe nuk mbushen kurrë plotësisht.
Cilët janë dy autorë që sipas jush dominuan këtë vit?
Do veçoja dy autorë: László Krasznahorkai, fituesin e çmimit Nobel në letërsi dhe shkrimtaren kineze Can Xue, e njohur prozën eksperimentale dhe avant-garde. Edhe pse në 2025 nuk e mori Nobel-in, ajo u konsiderua në mënyrë të përsëritur si një nga favoritet për çmimin ndërkombëtar dhe një prej zërave më inovativë në letërsinë botërore moderne. Kritika e ka vlerësuar për tronditjen e strukturave tradicionale të tregimit dhe për ndikimin e saj në letërsinë globale eksperimentale. Në letërsinë shqipe Ledia Xhoga, e cila arriti të ishte kandidate për çmimin Man Booker Prize me librin “Keqinterpretimi”, një arritje kjo për letërsinë shqipe e cila më herët e ka marrë këtë çmim me Kadarenë. Lea Ypi këtë vit pati një sukses ndërkombëtar me librin e saj të dytë “Indignity: A Life Reimagined (2025”, Ben Blushi me “Jam Mylsliman” solli një rrëfim mbi identitetin fetar, por dhe një reflektim të guximshëm mbi marrëdhënien midis lirisë individuale dhe presionit shoqëror në Shqipëri. Më shumë se një provokim, ky libër është një ftesë për dialog. “Djemtë e përçarë të Amerikës” nga Sokol Balla ishte një tjetër botim interesant, duke risjellë në vëmendje një prej hapësirave më të rëndësishme të diasporës shqiptare, të shqiptarëve të Amerikës, rolit dhe kontributit që ata patën në qytetërimin dhe hapjen e Shqipërisë, duke nisur nga Noli dhe Konica e deri tek figura të tjera shumë pak të njohura në diskursin public, me një kontribut në çështjen shqiptare. Romani “Dhe pastaj ajo u bë pemë” nga Loer Kume, sjell një qasje drejt një strukture më të pavarur të letërsisë shqipe. Liridon Mulaj me romanin “Net dhe mjaltë”, sjell një prozë që lëmon brendësinë njerëzore. Tobias Xhaxhiu, një I ri modern me romanin Imun, vazhdimësi e prozës bashkëkohore europiane.
Një libër që ju ka bërë të qani?
Do t’ju duket çuditshëm po t’ju them se nuk është një roman libri që më ka bërë ndoshta të qaj, por një përmbledhje e një bashkëbisedimi mes Paul Auster dhe J. M. Coetzee – Këtu dhe tani, Letra 2008–2011. Një formë e rrallë dhe e thellë e dialogut letrar bashkëkohor,ku dy shkrimtarë të mëdhenj flasin mbi përgjegjësinë morale të mendimit.
Coetzee dhe Auster e trajtojnë shkrimin jo si argëtim, por si akt etik. Pyetjet që shtrojnë nuk janë “si të shkruajmë më mirë”, por çfarë i detyrohet shkrimtari botës, deri ku shkon përgjegjësia morale e artit. Një rrëfim në traditën e mendimit të Camus-it dhe Orëell-it. Auster përfaqëson një mendim ekzistencial dhe urban, të rrënjosur në rastësi dhe fat. Coetzee është më asketik, filozofik dhe skeptik. Në bashkëbisedim ka mosmarrëveshje, sinqeritet, ndërgjegje njerëzore dhe mahnitje nga aftësia për ta parë letërsinë si diçka të jashtëzakonshme. E kam ende në librat që dua ta shfletoj sërish.
Libri që ende se keni përfunduar këtë fundvit?
Janë disa. E kam zakon që të lexoj disa libra në të njëjtën kohë.
Një titull?
Homo Deus: Një histori e shkurtër e së nesërmes, Yuval Noah Hararit
Keni një shkrimtare të preferuar?
Janë disa. Por po zgjedh të them Katherine Mansfield një nga shkrimtaret më të rëndësishme të letërsisë moderne të shekullit të 20 të. Po punoj këto kohë të përkthej një përmbledhje të tregimeve të saj në gjuhën shqipe.
Nëse do zgjidhje një personazh nga letërsia botërore për të takuar cila do ishte: Lady Makbeth, Ester Prini, apo Zonja Bovari?
Lady Makbeth, do më pëlqente një bisedë mbi shkatërrimin. Do isha më pak kritike sot në kohë ndaj kësaj gruaje, duke e parë si një personazh, produkt i një shoqërie patriarkale ku pushteti u përkiste burrave dhe ambicia e grave shtypet. Dëshira e saj për pushtet nuk është thjesht lakmi personale, por edhe rebelim ndaj kufizimeve që i vendosen si grua. Ajo përdor manipulimin sepse kjo është e vetmja formë ndikimi që i lejohet. Forca e saj nuk qëndron te mizoria, por te inteligjenca dhe vendosmëria. Megjithatë, tragjedia e saj lind nga fakti se ajo përpiqet të përqafojë një model pushteti të dhunshëm,
Nëse do personifikoje shekullin e XXI me një personazh nga historia e letërsisë botërore, cili do të ishte i përshtatshëm për kohët që jetojmë?
Hamleti. Figura e Hamletit mbetet e afërt me njeriun modern për shkak të thellësisë psikologjike dhe konflikteve të brendshme që ai përjeton. Ai gjendet vazhdimisht mes mendimit dhe veprimit, mes dëshirës për drejtësi dhe frikës nga pasojat. Kjo pasqyron gjendjen e shumë njerëzve në shoqërinë moderne, të cilët shpesh hezitojnë të veprojnë përballë situatave të vështira morale. Një tjetër element që e bën Hamletin aktual është marrëdhënia e tij me padrejtësinë dhe korrupsionin. Ai jeton në një oborr mbretëror të mbushur me hipokrizi dhe tradhti, ku pushteti përdoret për interesa personale. Hamleti është simbol i krizës së identitetit dhe i pyetjeve ekzistenciale mbi jetën dhe vdekjen. Dyshimet dhe reflektimet e tij tregojnë se kërkimi i kuptimit të jetës është një proces i përhershëm njerëzor.
Cili është libri më i shtrenjtë që ke në bibliotekën tënde?
Nuk di ta them këtë. Një libër i shtrenjtë për mua nuk varet nga çmimi, por nga autori, historia që ky libër mbart.
A na mëson letërsia të dashurojmë?
Letërsia na edukon në mënyrë të thellë ndjeshmërinë emocionale dhe etike, pa të cilën dashuria nuk mund të kuptohet. Letërsia është një laborator i përvojës njerëzore, ku dashuria shqyrtohet në të gjitha dimensionet e saj: si ideal, si konflikt, si sakrificë dhe si dështim. Letërsia nuk na mëson si të dashurojmë në mënyrë të drejtpërdrejtë, por na përgatit intelektualisht dhe shpirtërisht për ta kuptuar dashurinë si një përvojë të thellë, të vetëdijshme dhe thelbësisht njerëzore.
Cili është libri më i bukur për dashurinë sipas jush?
Janë shumë. Janë pafund librat që kur i lexoj them kjo është historia më e bukur e dashurisë. Poezitë e Silvia Plath apo Sonetet e dashurisë së Shekspirit mund të jenë dy që do veçoja.
A e ka humbur letërsia forcën e saj në kohët që jetojmë?
Letërsia në shekullin XXI nuk e ka humbur forcën e saj thelbësore, por ka pësuar një transformim në funksion dhe në mënyrën e komunikimit me lexuesin. Ajo nuk synon më domosdoshmërisht të jetë autoriteti i vetëm estetik apo moral i shoqërisë, por shfaqet si një hapësirë reflektimi kritik, ku individi përballet me kompleksitetin e realitetit bashkëkohor. Përmes formave të reja narrative dhe tematikave që pasqyrojnë fragmentarizimin, pasigurinë dhe ritmin e shpejtë të jetës moderne, letërsia vazhdon të ruajë fuqinë e saj interpretuese. Pikërisht në këtë aftësi për t’u përshtatur pa humbur thellësinë, qëndron vlera e saj: ajo mbetet një instrument i domosdoshëm për të kuptuar botën, njeriun dhe raportin e tij me një realitet që ndryshon vazhdimisht.
Çfarë do të ndodhë me kulturën në 2026?
Kultura shqiptare në vitin 2026 hyn në një fazë vendimtare rikonfigurimi. Ajo do të vazhdojë të lëvizë mes dy poleve: ruajtjes së trashëgimisë dhe presionit të modernitetit global. Kultura shqiptare në 2026 do të jetë gjithnjë e më e fragmentuar dhe e ndikuar nga globalizmi digjital. Letërsia do të konkurrojë me format e shpejta të komunikimit, duke rrezikuar humbjen e lexuesit të duruar, por njëkohësisht duke fituar forma të reja shprehjeje. Do të mbijetojë jo ajo kulturë që izolohet, por ajo që arrin të ruajë gjuhën, ndjeshmërinë dhe kompleksitetin estetik brenda realiteteve të reja mediatike. Sfida kryesore do të mbetet thellësia kundrejt sipërfaqësisë. Nëse kultura shqiptare arrin të mbështesë krijimtarinë serioze, kritikën letrare dhe arsimin kulturor, viti 2026 mund të shënojë një pjekuri të re. Në të kundërt, rreziku është që kultura të reduktohet në konsum të shpejtë dhe simbolikë boshe. Kultura shqiptare në 2026 nuk do të përcaktohet nga koha vetë, por nga zgjedhja midis rezistencës krijuese dhe përshtatjes pasive.
Bisedoi: Erisa Lila
Top Channel