“Rezultati na bën të ecim para pa vonesa”, Albin Kurti flet pas fitores në zgjedhje: Për Presidentin në fillim do flas me Vjosa Osmanin
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë po i japin edhe njëherë mundësinë Albin Kurtit të krijojë qeverinë vetëm me disa deputetë të pakicave kombëtare, por pa pasur nevojë t’i shtrijë dorën opozitës.
Kur janë numëruar gati 90% e kutive të votimit në të gjithë vendin, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë rreth 50% të votave që në bazë të përllogaritjes mund të prodhojnë 56 deputetë. Albin Kurtit i duhen jo më shumë se 5 deputetë nga 10 që kanë pakicat jo serbe për të formuar pa shumë kokëçarje qeverinë “Kurti 3”.
Krahasuar me zgjedhjet e shkurtit 2025, Lëvizja Vetëvendosje ka një rritje me 8 për qind.
Në të njëjtat nivele me ato të dhjetë muajve më parë është Partia Demokratike e Kosovës, e cila vetëm pak para zgjedhjeve ndryshoi liderin e saj.
Bedri Hamza ka marrë diçka më shumë se 20% të votave, identik sa përqindja e dhjetë muajve më parë dhe mund të marrë 23 deputetë, një më pak se në shkurt.
Ndërkohë që humbësi i madh i këtyre zgjedhjeve është Lidhja Demokratike e Kosovës.
Partia e Lumir Abdixhikut është në nivelin e 14% të votave, katër për qind më pak se zgjedhjet e përgjithshme të shkurtit të këtij viti dhe pritet të ketë një rënie me 5 deputetë nga 20 që mori në fillim të vitit.
Jashtë parlamentit e sheh veten edhe Fatmir Limaj i cili doli i vetëm në këto zgjedhje dhe nuk e arriti pragun, ndërkohë që Ramush Haradinaj me 6% të votave mund të marrë 6 deputetë nga 8 që kishte koalicioni i tij në shkurt 2025.
Top Channel