Pep Guardiola kishte paralajmëruar më herët se lojtarët e Manchester City-t do të peshoheshin në rikthimin në stërvitje pas pushimit të Krishtlindjes dhe se kushdo që do të paraqitej mbi peshë do të përjashtohej nga grumbullimi.

Megjithatë, trajneri katalanas ka zbuluar se futbollistët i respektuan rregullat, ndryshe nga ai vetë. “Lojtarët kanë qenë jashtëzakonisht të disiplinuar. Sezonin e kaluar, për shkak të dëmtimeve të shumta, ishte pak më e vështirë, por sjellja e tyre ka qenë gjithmonë e jashtëzakonshme”, deklaroi Guardiola.

Ndërsa foli për standardet e brendshme të klubit, tekniku i City-t bëri edhe një rrëfim me nota humori: “Unë kam shtuar katër ose pesë kilogramë për shkak të ushqimit dhe pijeve që konsumoj, ndaj për mua është ndryshe. Por në klub kemi një standard të qartë, të gjithë e dinë saktësisht çfarë duhet të bëjnë. Të gjithë lojtarët që kam trajnuar në dekadën e fundit kanë qenë shembullorë dhe kjo vazhdon edhe sot.”

Manchester City zbret në fushë këtë të shtunë, në orën 12:30, në transfertë ndaj Nottingham Forest, me mundësinë që, në rast fitoreje, të ngjitet përkohësisht në krye të Premier League. Sidoqoftë, Guardiola minimizoi rëndësinë e renditjes në këtë fazë: “Do të preferoja të ishim dhjetë pikë përpara të gjithëve, por kjo është situata. Gjërat po ecin mirë dhe ne jemi aty.”

Ai theksoi gjithashtu pozicionimin e skuadrës në të gjitha kompeticionet: “Jemi ende në fund të dhjetorit, jemi mirë të renditur në Ligën e Kampionëve dhe në Premier League, kemi arritur gjysmëfinalet e Kupës së Ligës dhe Kupa e Anglisë nis së shpejti.”

Sa i përket merkatos së janarit, Guardiola nuk përjashtoi lëvizje: “Gjithçka mund të ndodhë. Sezonin e kaluar nuk do ta kisha imagjinuar kurrë që do të hynim në merkato për katër ose pesë lojtarë për shkak të dëmtimeve të shumta. Merkatoja është e hapur dhe gjithçka mbetet e mundur”, përfundoi ai, në një kohë kur City po mban bisedime të avancuara për sulmuesin e Bournemouth-it, Antoine Semenyo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB