Milan-Maignan, tjetër tentativë rinovimi; vjen oferta prej 7 milionë euro deri në 2030, por Inter e Juve…
Atalanta-Inter, hap turin e forcës së ndeshjeve direkte dhe delikate në shtëpinë zikaltër. Interin e pret një muaj shumë i rëndësishëm për kampionatin dhe Ligën e Kampioneve dhe mund t’i japë formë sezonit të skuadrës së Cristian Chivu.
Ajo ndaj bergamaskëve, do të jetë ndeshja e parë me peshë e Interit për të ruajtur kreun e klasifikimit me trajnerin e Interit që i njeh mirë problemet dhe pengesat e mundshme.
‘Gjithnjë ka qenë një ndeshje e vështirë, pavarësisht kush është në stol-tha Chivu-Atalanta ka ruajtur të njëjtin identitet dhe kompetitivitet dhe me Palladinon ka gjetur vazhdimësinë në fitore dhe në gjetjen e stimujve të duhur. Nuk do të jetë e lehtë, nuk ka qenë kurrë e thjeshtë sfida ndaj tyre për shkak të intesitetin dhe vertikalizimin që kanë. Duhet të jemi të zotë, kurajozë, të ruajme dëshirën dhe shpirtin për të kërkuar gjithnjë lojën në vertikal për të fituar topat e dytë dhe për të shfrytëzuar rastet që do të na lejojnë’.
Përsa i përket merkatos së transferimeve Chivu preferoi të mos flasë shumë
‘Merkato? Duhen edhe 5-6 ditë për hapjen e tij, për një trajner është e vështirë të flasë sepse nëse flet, tregon mungesë respekti për futbollistët që ke në dispozicion-shtoi Chivu-Një trajner nuk do të thotë kurrë çfarë i mungon, çfarë duhet dhe kë duhet të marrë, sepse do të thotë se futbollistët që ka nuk janë në lartësinë e duhur’.
Më pas Chivu bëri bilancin e tij të parë si trajner i Interit.
‘Nuk flas për vete, por për klubin-shtoi Chivu-këta muaj ishin të vështirë në fillim për atë që u përjetua në fundin e sezonit të kaluar, por bëmë gjithçka që të hyjmë në rrugën e duhur për të qenë kompetitivë. Kemi punuar shumë dhe kemi lënë pas zhgënjimin e së kaluarës, mungesat tona, hymë në garë dhe provuam të arrinim gjërat që i duheshin këtij grupi në aspektin taktik dhe psikologjik. Nuk jemi perfektë, por po kërkojmë të përmirësojmë aspektet që ndonjëherë përcaktojnë ecurinë e një sezoni. Ca gjëra i kemi bërë mirë, ca të tjera më pak mirë, po kërkojmë të eliminojmë difektet si kolektive dhe individuale. Edhe pse jemi në dhjetor, të thuash që është një kantier i hapur nuk është e lehtë, por realiteti është që një skuadër që dëshiron të jetë kompetitive duhet të ruajë ambiciet e saj’.
Chivu më pas foli qartë edhe në lidhje me ‘problemin e ndeshjeve direkte’
‘Duhet të jemi më të fortë se frustrimi dhe padrejtësitë-tha trajneri rumun i Interit-ne kemi objektivin që të punojmë dhe të shtojmë diçka më shumë në aspektin e motivimit. Nuk duhet të bëjmë gjithnjë gjëra të bukura, skuadra ka një identitet dhe ka diçka që duhet shtuar. Ndoshta mund ta përshpejtonim procesin, por asnjëherë nuk është e lehtë të arrish këtë në pak kohë. Jemi të ndërgjegjshëm për atë që na mungon. Po punojmë me vendosmëri dhe përgjegjësi. Duhet të dalim nga zona e komfortit’
trajneri i interit më pas konfirmoi praninë e Calhanoglu si titullar në sfidën me Atalantën, ndërkohë që preferoi të tregohet i kujdesshëm për Josep Martinez.
‘Calhanoglu ka qenë konstant, është mirë dhe është në dispozicion për ndeshjen-tha Chivu-përsa i përket Pepo, ai ka dhënë sinjale të mira në gjysmëfinale në Riad. Këtë muaj dhe në janar do ta shohim përsëri. Do të isha hipokrit po të thoja që jemi të kënaqur për atë që bëri në Superkupë. Në vitet e fundit, të luash kundër Bolognas ka qenë e vështirë. Në pjesën e dytë, paraqitja e tij ishte e mirë, pashë gjëra të mira dhe duhet të shtojmë diçka më shumë. Unë nuk dua të heq, por të shtoj’
Top Channel