Zgjerohet skandali i basteve në futbollin turk; 29 të arrestuar, në pranga dhe ish-zv/presidenti i Galatasaray

26/12/2025 15:31

Nuk ka paqe për futbollin turk. Prokuroria e Stambollit urdhëroi një tjetër blitz që solli arrestimin e 29 personave duke e zgjeruar akoma më shumë skandalin e basteve në vend teksa drejtuesit e futbollit në Turqi kanë filluar të dridhen.

Mes të arrestuarve figurojnë 14 futbollistë që janë ende në aktivitet dhe akuzat janë shumë të rënda; sipas hetuesve, sportistët kanë manipuluar rezultatin e ndeshjeve duke vënë bast për fitoren e skuadrave kundërshtare. Ata ‘u kapën mat’ nga një sërë transaksionesh financiare jo të zakonta të gjurmuara në llogaritë e tyre private

I përfshirë një emër i njohur; arrestohet Erden Timur. Tërmeti gjyqësor ka prekur edhe postet e larta. Në pranga është vënë Erden Timur, ish-zv/presidenti i Galatasaray. Për momentin, klubi nuk ka lëshuar asnjë komunikatë zyrtare, por arrestimi i një figure të tillë përbën një pikë pa kthim në hetime. Shifrat në total të skandalit përkufizojnë një krizë sistematike; aktualisht të përfshirë janë 1500 persona, me masa pezullimi që kanë goditur rreth 1000 futbollistë dhe 150 arbitra.

Skandali tjeter; arrestimi i presidentit të Fenerbahçe. Sikur të mos mjaftonte kjo, por në Turqi është shokuar edhe klubi tjetër i madh i vendit, Fenerbahçe. Në ditët e kaluara u arrestua presidenti Sadettin Saran, por në këtë rast futbolli nuk ka të bëjë. Saran është i përfshirë në një hetim të gjerë antidrogë në botën e spektaklit. Edhe pse kishte rezultuar pozitiv për përdorim droge në testet që iu kryen, Saran mohoi gjithçka dhe kërkoi kryerjen e analizave të reja, ndërsa klubi shprehu besimin ndaj tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB