E ardhmja e Lewandowskit është e paqartë, ka interes nga MLS, por edhe Arabia Saudite e tenton polakun
Premier League vazhdon të ofrojë histori, statistika dhe episode që tërheqin vëmendjen e gjithë botës së futbollit.
Muajt e parë të sezonit kanë nxjerrë në pah pesë momente kryesore, mes rekordeve historike, tensioneve në dhomat e zhveshjes dhe vendimeve që po ndryshojnë traditën.
Në qendër të vëmendjes qëndron sërish Erling Haaland. Sulmuesi i Manchester City-t ka arritur shifrën e jashtëzakonshme prej 100 golash në Premier League, duke u bërë lojtari më i shpejtë në histori që e arrin këtë kuotë: vetëm 111 ndeshje. Goli jubilar erdhi në fitoren spektakolare 5-4 ndaj Fulhamit, një tjetër dëshmi e ndikimit vendimtar të norvegjezit në kampionatin anglez.
Në anën tjetër, Liverpooli po përballet me tensione të brendshme. Polemika mes trajnerit Arne Slot dhe Mohamed Salah ka lënë pasoja, me ‘yllin’ egjiptian që ka lënë të kuptohet se mund të largohet që në afatin e janarit. Një situatë delikate për “Reds”, të cilët historikisht kanë qenë rivalët kryesorë të City-t në garën për titull.
Një episod i pazakontë ka ndodhur edhe tek Evertoni: Idrissa Gueye është ndëshkuar me karton të kuq për rrahje… me shokun e skuadrës, Michael Keane, gjatë ndeshjes kundër Manchester United. Pamjet kanë bërë xhiron e rrjeteve sociale, duke shkaktuar habi dhe polemika.
Ndërkohë, tradita e ‘Boxing Day’ është zbehur ndjeshëm, me vetëm një ndeshje të luajtur ditën pas Krishtlindjes. Po ashtu, kanë ndryshuar edhe rregullat për minutën e heshtjes para ndeshjeve: kushtet do të jenë më të rrepta dhe do të kufizohen vetëm në ngjarje që lidhen drejtpërdrejt me sportin. Premier League, edhe këtë sezon, konfirmon se është më shumë se thjesht futboll.
Top Channel