Tashmë është kthyer si traditë që lojtarët e formuar në kampionatin shqiptar e më pas zhvilluar jashtë, kanë si synim të rikthehen për të mbyllur karrierën futbollistike në Shqipëri.

Arsyet janë nga më të ndryshmet, nga dëshira për të kontribuar për klubin e parë që kanë luajtur në Shqipëri deri tek klubi i qytetit të tyre.

Në të shkuarën ka patur disa emra që vendosën të bënin një gjë të tillë, duke e menduar edhe si një nivel të ulët futbollin tonë dhe që pavarësisht moshës së avancuar, mund të bënin diferencën. Por jo gjithmonë ka funksionuar, sepse pavarësisht që futbolli shqiptarë nuk është i bukur apo me nivel të lartë, gjithësesi mbetet i vështirë.

I fundit që po përpiqet të bëjë një gjë të tillë është ish-sulmuesi i kombëtares, Sokol Cikalleshi. Prej shumë vitesh në futbollin turk, duket se vija e finishit është afër për të. Në sezonin e fundit në Turqi ai u aktivizua vetëm 12 minuta, duke qenë thuajse pushim gjatë gjithë kohës. Dhe me sa duket, pasi nuk po ka mundësi atje për të siguruar një skuadër, i tërhequr edhe nga kombëtarja në prag të Europianit kur e mbeti jashtë listës, kavajasi ka zgjedhur të rikthehet në Superligë, ku ka qenë padyshim mes protagonistëve, përpara largimit në Turqi në vitin 2015.

Kontaktet e para kanë qenë me Flamurtarin, një skuadër në vështirësi të mëdha në këtë sezon pasi e gjen veten e parafundit në fund të këtij viti 2025 duke luftuar për mbijetesën edhe pse skuadra me e shtrenjtë në shifra sa i përket përbërjes. Takimi i zhvilluar në Vlorë në zyrat e Flamurtarit ka qenë me administratorin e klubit Sinan Idrizi.

Ende nuk ka diçka konkrete të bërë publike nga lojtari apo klubi vlonjat, por mbetet për tu parë nëse Flamurtari do të jetë e vetmja alternativë për Cikalleshim në këtë rikthim në Shqipëri në prag të mbylljes së karrierës së tij, sot në moshën 35-vjeçare, apo do të kontaktohet edhe nga ekipe të tjera.

Por edhe pse vjen nga një kampionat i nivelit të lartë dhe ka luajtur për shumë vite në klube të rëndësishme e ka shënuar shumë gola, Superliga do të mbetet një sfidë e vështirë për të, sidomos kur vjen pas rreth një viti pushim dhe në moshë disi të avancuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB