Tradita e Boxing Day është një ndër më të rrënjosurat në futbollin botëror dhe ishte e paevitueshme që zgjedhja e Premier League për të zhvilluar vetëm një sfidë në 26 dhjetor, atë mes Manchester United dhe Newcastle të shkaktonte reagime.

Kështu, shumë tifozë, por edhe eksponentë të politikës britanike, kritikuan me forcë në rrjetet sociale këtë risi të Ligës Angleze që kjo e fundit e justifikoi me kalendarin e ngjeshur nga kompeticionet evropiane dhe me nevojën për të zgjatur kohët e pushimit të futbollistëve. Në fakt, kjo do të jetë hera e parë që nga 1982 që kalendari i Boxing Day është kaq ‘i varfër’ me ndeshje, ndërkohë që vitin e kaluar, në 26 dhjetor u luajtën 8 ndeshje, një festim post-Krishtlindje që shumica e anglezëve duan ta kalojnë duke bërë pazar e sidomos duke ndjekur ndeshjet e futbollit.

Lidhja mes Boxing Day dhe futbollit daton që në sezonin e parë të Football League në 1888 kur Derby County u përball me Boltonin dhe West Bromwich priti Preston North End. Që nga ai moment në 26 dhjetor janë zhvilluar plot 4000 ndeshje duke konsoliduar pozicionin e kësaj dite në folklorin sportiv. Mbetet historik dhe ndoshta dhe i paarriteshëm, rekordi i vitit 1963 kur në 10 ndeshje të zhvilluara në Boxing Day të atij viti u shënuan plot 66 gola.

Ndërkaq, kjo ‘varfëri’ ndeshjesh të Premier League në Boxing Day, është një mundësi për klubet e kategorive më të ulëta që shpresojnë të tërheqin më shumë spektatorë në stadiumet e tyre se zakonisht.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB