Fitoi Superkupën e Italisë vitin e kaluar, rrëfehet Sergio Conceiçao: Ambienti rreth Milanit s’ishte i mirë

22/12/2025 11:11

Imazhi i Superkupës së Italisë së vitit të kaluar ishte ai i përmbysjes së madhe të Milanit në finalen derbi me Interin nën drejtimin e trajnerit Sergio Conceiçao që e kishte marrë detyrën e tij prej vetëm pak ditësh për të festuar më pas në dhomat e zhveshjes me një puro të ndezur, imazh që bëri xhiron e botës.

‘Ishte një premtim, futbollistët  që kishin parë video, më kërkuan të tymosja në rast fitoreje-tregon Sergio Conceiçao në një intervistë për të përditshmen ‘La Gazzetta Dello Sport’-me Porton këtë veprim e kisha bërë 11 herë, dmth pasi kisha fituar trofe’

Më pas Conceiçao tregoi se cfarë nuk funksionoi gjatë atyre 6 muajve të qëndrimit të tij në Milano

‘Klubi nuk kishte stabilitet, rreth skuadrës ambienti nuk ishte i mirë-shtoi Conceiçao-për këtë arsye vlerësoj shumë atë cfarë kemi bërë. Për më tepër, drejtuesit e klubit nuk më mbështetën. Po ju jap një shembull. Pasi fitova Superkupën, luajtëm me Cagliarin. Në atë periudhë po qarkullonin zërat  që klubi po monitoronte trajnerë të tjerë. Unë mendoja të punoja dhe të fitoja me peshën e rezultateve mbi shpatulla. Nuk pata kohë të punoja në të gjitha nivelet. Me disa ndryshime do të kisha qëndruar. Futbollistët nuk më tradhtuan, ishin me mua. E tha edhe Theo. Pas ndeshjes me Feyenoordin kur njerëzit thonin se ai e kërkoi vetë qëllimisht kartonin e kuq, e mbrojta. Ishin të shumtë ata që më shkruan kur u largova. Kërkoj shumë, por kur duhet, e lejoj dhe relaksin. Nëse dikush paraqitet me 1 kg më shumë në peshë apo me vonesë e gjëra të tilla, unë nuk mund të bëj tolerime. Në fund të fundit për mua futbollistët janë të gjithë njësoj’

Sergio Conceiçao e vijoi më tej arsyetimin në intervistën e tij.

‘Nga 2016 e deri tani vetëm 2 trajnerë kanë fituar trofe me Milanin, Pioli, që fitoi titullin kampion dhe unë-tha Conceiçao-nëse shtojmë edhe pikët e periudhës sonë, kemi pasur një ritëm për Europa League, vendi i pestë. Rezultatet ishin, mendoj për dy ndeshjet derbi të fituara dhe suksesin me Romën. Më vjen keq për finalen e Kupës së Italisë, por disa gjëra nuk më pëlqyen’

Ndërsa Sergio Conceiçao tashmë është te Al Ittihad, djali i tij Francisco është në Serie A te Juventus dhe trajneri portugez foli edhe për të

‘Po bën mirë te Juventus-tha tekniku luzitan-në shtëpi flasim sa më pak të jetë e mundur për futbollin. E rëndësishme është që për darkë, telefonat lihen në xhep. E kam kërkuar këtë edhe te Porto dhe te Milani. Cisco ka debutuar me mua në Portugali. Në 2020, gjatë mbylljes nga pandemia i thashë: ‘nëse ke uri, atëherë pi ujë’, ishte pak i shëndoshë. Për të bërë diferencën duhen sakrifica dhe mentalitet. Por të mundja do i jepja hua urinë time, jo sepse ai nuk e ka, përkundrazi, por unë kur isha 16 vjec, i coja paratë në shtëpi për të ngrënë, ishte ndryshe. Por unë pata besim, edhe ai beson’

Sergio Conceiçao më pas foli për rëndësinë e raportit të tij me besimin fetar.

‘Është pjesë thelbësore e jetës sime-tha Sergio Conceiçao-jam katolik praktikant, këtu nuk mundem, por në Milano shkoja cdo ditë në kishë. Përpara disa muajsh Papa më ftoi në Jubile për të treguar rrugëtimin dhe vështirësitë e mia. Humba babain kur isha 16 vjec pas një aksidenti me motor, nënën kur isha 18 pas një vuajtje të gjatë dhe më pas humba edhe një vëlla, isha fëmija i 7 në 8 gjithsej. Besimi fetar më dha forcë dhe qetësi. Dua t’iu tregoj prindërve të mi se unë jam dhe i kam bërë realitet të gjitha ëndrrat e mia. Por brenda meje, thellë thellë, kam pasur diçka të zezë si një hije. Kam fotot e prindërve të mi, dhe lutem për ta cdo ditë. Unë jam një njeri i qetë, kam 5 fëmije, kam luajtur, tani jam trajner, por e di që nuk do të jem kurrë plotësisht i lumtur pa prindërit e mi. Kjo është gropa që kam brenda vetes’.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB