Lara Colturi, vajza që po ngre flamurin kuqezi atje ku Shqipëria s’ka qenë kurrë
Lara Colturi nuk rresht së befasuari të gjithë në këtë fillim sezoni në Kupën e Botës në Skitë Alpine. Pas vendit të dytë në Garën e Slalomit në Levi, skiatorja italiane që garon për ngjyrat kuqezi shënoi një tjetër vend të dytë, këtë radhë në Gurgl të Austrisë, një pistë që ka një vend të vecantë në kujtimet e 19 vjecares.
Në pistën ku përpara një viti regjistroi podiumin e saj të parë, Colturi dhuroi sërish emocione në pistën austriake teksa u shfaq e jashtëzakonshme me paraqitjen e saj duke shkruar një tjetër faqe në historinë e skive shqiptare. Zbritja e parë e Lara Colturit në garën e Slalomit ishte në kufijtë e perfektes teksa me 19 vjecaren që e përshkoi pistën me kohën 54 sekonda e 53 të qintat, vetëm 31 të qintat më shumë se ajo që konsiderohet si mbretëresha e kësaj disipline sportive,Mikaela Shiffrin, e vetmja që qëndroi përpara Lara Colturit tonë.
Në zbritjen e dytë, Colturi regjistroi një kohë prej 54 sekondash e 91 të qintat, më e ngadaltë se në zbritjen e parë, por që gjithsesi nuk ia zbehu shkëlqimin skiatores së talentuar pasi me kohën e përgjithshme prej 1 minutë 49 sekonda e 34 të qintat arriti të sigurojë përfundimisht vendin e dytë, pas Mikaela Shiffrin që regjistroi fitoren e 103 në karrierë, ndërkohë që në vendin e tretë u rendit Camilla Rast dhe ana kurioze në këtë pikë, është se edhe vitin e kaluar, ishin po këto skiatore në podium; Shiffrin, Colturi dhe Rast.
Por jo vetëm kaq, vendi i dytë në garën e Slalomit në Gurgl i jep mundësinë Lara Colturit të fitojë një pozicion edhe në renditjen e përgjithshme teksa skiatorja jonë gjendet në vendin e dytë me 196 pikë, ndërkohë që në krye të klasifikimit është ajo, e pandalshmja Mikaela Shiffrin me 250 pikë, ndërsa në vendin e tretë është një tjetër skiatore amerikane, Paula Moltzan me 175.
Top Channel