Barcelona e feston në mënyrën më të mirë të mundshme kthimin në Camp Nou dhe këtë e bën duke marrë një fitore me goleadë ndaj Athletic Bilbaon të cilin e mundi me rezultatin 4-0 duke vijuar rrugëtimin drejt kreut të klasifikimit.

Të pranishëm në impiantin e rihapur pjesërisht ishin 45 mijë tifozë të cilët u argëtuan nga skuadra blaugrana. Starti i ndeshjes ishte perfekt për të besuarit e Hansi Flick që zhbllokoi rezultatin që në minutën e 4 me Robert Lewandowskin me polakun që e përuroi në mënyrë perfekte impiantin teksa Barcelona mori avantazhin në 1-0. Në fundin e pjesës së parë, Barcelona shënoi golin e dytë me Ferran Torres pas një kundërsulmi për të cuar shifrat në 2-0 dhe me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë.

Pas pushimit të ndeshjes, Barcelona shënoi sërish, këtë radhë me Fermin Lopez pas një kombinimi me Eric Garcian dhe rezultati shkoi në 3-0. Në këtë pikë te skuadra baske nuk mbajtën më nervat dhe Sancet goditi Fermin Lopez duke u ndëshkuar me karton të kuq.

Gjërat u bënë akoma më të lehta për Barcelonën që e shfrytëzoi superioritetin numerik dhe në minutën e 90 plotësoi pokerin e golave me Ferran Torres që coi rezultatin në 4-0 duke regjistruar kështu edhe një dygolësh personal. Me këtë fitore Barcelona barazohet përkohësisht me Realin e Madridit që do të luajë me Elchen në sfidën e tij të radhës.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB