Ish kreu i burgjeve, Agim Ismaili paraqitet në SPAK
Familja e Ozzy Osbourne ka ndarë publikisht dhimbjen e madhe për humbjen e legjendës së muzikës rok, i cili ndërroi jetë në korrik në moshën 76-vjeçare.
Të mërkurën, më 12 nëntor, familja publikoi një episod të veçantë të podkastit të tyre “The Osbournes”, pas më shumë se një viti mungesë, për të nderuar jetën dhe trashëgiminë e ikonës së “Black Sabbath”.
Në episod, Sharon, Jack dhe Kelly Osbourne u ulën rreth një tavoline të madhe prej druri, të mbuluar me revista që kishin në kopertinë Ozzy-n, ndërsa ndanë kujtime dhe emocione të forta për artistin që la pas një karrierë të jashtëzakonshme dhe një ndikim të pamatshëm në botën e muzikës.
Ozzy vdiq pas një ataku në zemër, ndërsa prej vitesh vuante nga sëmundja e Parkinsonit dhe probleme të tjera shëndetësore.
Kelly Osbourne, mes lotësh, rrëfeu:
“Nuk e kuptova kurrë sa e tmerrshme është pikëllimi. Nuk e dija se mund ta doja dikë kaq shumë dhe ta ndjeja kaq thellë mungesën e tij. Thjesht, nuk mendova kurrë se do të vinte një ditë kur ai nuk do të ishte këtu”.
Në një moment prekës, Sharon Osbourne e pyeti vajzën e saj:
“Por sa e bekuar je që ke pasur një baba si ai?”
Sharon, e cila ishte e martuar me Ozzy-n për 43 vjet, pranoi se përballja me dhimbjen ka qenë e vështirë.
“E urrej të shkoj në shtrat natën”, tha ajo, duke shtuar se i mungon prania e tij dhe se shpesh e ka të pamundur të flejë vetëm.
Edhe Kelly shtoi se mëngjeset janë pjesa më e vështirë e ditës për të:
“Zgjohem dhe për tre sekondat e para ndihem normale. Pastaj kujtoj gjithçka. Mëngjeset janë më të dhimbshme, sepse ndodhi në mëngjes… dhe pjesën më të madhe të kohës e kaloja me babin pikërisht atëherë”.
Top Channel