Paris Saint Germain ‘i fashuar’, mbushet infermieria e kampionëve të Evropës

09/11/2025 13:38

Kalendari këtë vit nuk ka qenë dashamirës ndaj Paris Saint Germain që në këtë fazë finale të 2025 po përballet me dëmtime të shumta, gjë që tregon se klubit parizien po ndjen mungesën e zhvillimit të një faze përgatitore parasezonale.

Të fundit që i janë bashkuar infermierisë kanë qenë Ousmane Dembele, Achraf Hakimi dhe Nuno Mendes të cilët i bashkohen Desire Doue dhe bëhet fjalë për futbollistë titullarë të skuadrës së Luis Enrique

Që nga fillimi i vitit, Paris Saint Germain ka zhvilluar 58 ndeshje në të gjitha kompeticionet, një rekord ky  për këtë klub që zhvilloi edhe ndeshjet e playoffit të Ligës së Kampioneve në shkurt dhe më pas ato të Botërorit të Klubeve ku arriti deri në finale. Me vetëm 2 javë pushim, Paris Saint Germaini u desh të përballej me Superkupën e Evropës ndaj Tottenhamit pa mundur t’u japë praktikisht asnjë ditë pushim futbollistëve të tij.

Asturiani e pati obsesion kryerjen e rotacioneve që në fillim të këtij sezoni për të evituar dëmtimet, një objektiv që nuk u realizuar duke parë cfarë ka ndodhur te PSG që nga gushti. Lojtarë si Fabian Ruiz, Joao Neves, Marquinhos, Dembélé dhe Doué  kanë qëndruar për disa javë jashtë fushave duke detyruar Luis Enrique të bënte ‘shpikje’ dhe shumë herë t’i drejtohej Akademisë së klubit.

Për Paris Saint Germainin, ndeshja me Bayernin ishte ajo që e goditi më shumë jo aq për rezultatin sesa për atë cfarë ndodhi me lojtarët. Hakimi la fushën e lojës pas një dëmtimi të pësuar nga ndërhyrja e Luis Diaz, ndërsa edhe Dembele kërkoi zëvendësim në pjesën e parë. Marokeni do të qëndrojë 6-8 javë jashtë fushave, ndërsa Dembele nuk pritet të kthehet në fushat e lojës të paktën deri në dhjetor.  Nuno Mendes ka dëmtim në kavilje, kështu që në këtë situatë, duke parë edhe kalendarin, Paris Saint Germain po mendon për ndërhyrje në merkaton e janarit.

Një prej objektivave të klubit është Eric Garcia, një futbollist që i pëlqen Luis Enrique pasi është polivalent e për më tepër kontrata e tij me Barcelonën skadon në qershorin e vitit të ardhshëm. Po kështu francezët po mendojnë edhe për një mesfushor me eksperiencë dhe një sulmues; ndërprerja e hemorragjisë së dëmtimeve, përballimi i një kalendari të lodhshëm është prioriteti i Luis Enrique dhe drejtuesve të Paris Saint Germain.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta