Wissam Ben Yedder do të dalë në proces gjyqësor në muajt e ardhshëm me akuzën e përdhunimit, tentativë përdhunimi dhe agresion seksual, krime për të cilat ai rrezikon të dënohet deri me 15 vjet burg

Bashkë me të në proces do të jetë edhe vëllai i tij, Sabri edhe ky me të njëjtat akuza. Gjykata e Monacos doli me një vendim të saj duke urdhëruar dërgimin për gjykim të futbollistit dhe vëllait të tij. Ngjarja daton në korrik të vitit 2023, kur 2 vajza të reja bënë denoncimin e tyre ndaj vëllezërve Yedder duke i akuzuar se i sulmuan në një mbrëmje në Principatë.

Ben Yedder fillimisht u ndalua dhe më pas u lirua me kusht pasi pagoi një garanci prej 9000 euro. Në vitin 2024, në një ballafaqim me denoncueset, futbollisti mohoi me forcë cdo akuzë.

Në atë kohë, Ben Yedder ishte ende pjesë e skuadrës së Monacos, klub me të cilin luajti deri në mbyllje të kontratës, në muajin qershor. Më pas ai nënshkroi me Sakaryaspor, skuadër në Divizionin e Dytë të futbollit turk pas një periudhe shumë të shkurtër në futbollin iranian.

Por për Ben Yedder, kjo nuk është hera e parë që ka telashe me drejtësinë. Në shtator të 2024, një gjykatë ne Nice e dënoi futbollistin tashmë 34 vjecar me 90 mijë euro gjobë për dhunë psikologjike ndaj ish bashkëshortes së tij gjatë procesit të divorcit.

Përvec kësaj, Ben Yedder ka pranuar se ka pasur probleme me alkoolin, detaj që avokati i tij mund ta përdorë për të zbutur përgjegjësinë penale. Procesi i muajve të ardhshëm në këtë mënyrë pritet që të shenjojë përfundimisht karrierën e një futbollisti që dikur ka qenë simbol i Monacos dhe përfaqësueses franceze.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta