Territori i qarkut të Kukësit është përfshirë nga mot i keq, me reshje të dendura shiu dhe mjegull të dendur në zonat e ulëta dhe luginat.

Për shkak të intensitetit të reshjeve, janë raportuar problematika në disa rrugë rurale dhe nacionale. Veçanërisht në segmentet nacionale Kukës–Qafë Mali, Kukës–Bushtricë, Kukës–Shishtavec, Kukës–Kam–Tropojë dhe Kukës–Bushtricë–Peshkopi ka prezencë uji në sipërfaqe, si edhe rënie gurësh dhe inerteve në disa pjesë të rrugës. Drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit.

Nga moti i keq nuk ka shpëtuar as Rruga e Kombit. Fillimisht, segmenti Kolsh–Tuneli i Kalimashit u përfshi nga mjegull e dendur, duke e vështirësuar qarkullimin e automjeteve. Në dy segmente të tjera janë regjistruar rënie gurësh dhe dherash — konkretisht pranë daljes së fshatit Myç–Mamëz dhe në afërsi të divizionit ushtarak të Kukësit. Për shkak të këtyre rrëshqitjeve, drejtuesit e automjeteve kanë ulur shpejtësinë për të shmangur aksidentet e mundshme.

Ndërkohë, reshjet e pandërprera kanë shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona të thella malore.

Sipas informacioneve zyrtare, reshjet kanë ndikuar gjithashtu në rritjen e nivelit të ujit në Liqenin e Fierzës, i cili është shtuar me rreth 30 centimetra në ditë. Kujtojmë se Fierza është në pikën më të ulët kritike.

Autoritetet janë në terren dhe po monitorojnë nga afër situatën në të gjitha akset rrugore dhe zonat me rrezikshmëri të shtuar.

Reshjet e shiut kanë shkaktuar probleme edhe në qytetin e Kukësit.
Në dy segmente rrugore, njëri në afërsi të Drejtorisë së Policisë dhe tjetri pranë sheshit të Obeliskut, janë shënuar përmbytje. Uji ka mbuluar rrugët dhe trotuaret, duke e vështirësuar qarkullimin e mjeteve dhe kalimtarëve

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta