Andrei Kovaçeviç kryetar i komisionit parlamentar në BE ka folur nga Pusteci për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor ndërsa ka deklaruar se për Shqipërinë është plotësisht i arritshëm objektivi për vitin 2030.
“Në këtë situatë të vështirë gjeopolitike në botë, duhet të pranojmë sa më shpejt të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Sigurisht, çdo vend vlerësohet sipas meritave të veta dhe sipas përparimit të reformave. Për këtë arsye, ne i shohim të gjitha vendet në mënyrë të veçantë.
Shqipëria dhe Mali i Zi janë dy vendet që ndodhen në fazën më të avancuar të integrimit dhe të procesit të negociatave me Bashkimin Europian. Shpresa jonë është që në vitet e ardhshme të mund t’u themi mirëseardhjen si anëtarë të plotë të Bashkimit Europian disa prej vendeve të Ballkanit Perëndimor. Unë shpresoj që ndër to të jetë edhe Shqipëria”, tha Andrei Kovaçeviç, kryetar i komisionit parlamentar në BE.
I pyetur në lidhje me pritshmëritë pas zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut eurodeputeti ka vendosur theksin tek përmbushja e disa kushteve
“Në Maqedoninë e Veriut ndiqen edhe mediat shqiptare. I bëj apel mikut tim, Kristian Mickoski, që pas fitores elektorale dhe pas përfundimit të raundit të dytë për partinë e tij, të lërë pas disa nga parullat e vjetra dhe sa më shpejt të nisin negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Ne do t’i mbështesim dhe dëshirojmë anëtarësimin e Republikës së sotme të Maqedonisë së Veriut, ashtu si edhe të Shqipërisë, por çdo vend vlerësohet veçmas, në bazë të përparimit të tij”.
Këto deklarata eurodeputeti i ka bërë nga Pusteci ku ka qenë pjesë e një aktiviteti të fondacionit Kujtesa Bullgare.
Top Channel