Vrasja e gjyqtarit Kalaja, zv.kryetarja e Apelit: Duhen masa emergjente, të ndalet gjuha e urrejtjes ndaj funksionarëve të drejtësisë

09/10/2025 11:57

Zv.kryetarja e gjykatës së Apelit Tiranë Iliba Bezat: Sot jemi mbledhur në rrethana të jashtëzakonshme, me ndjenja të thella trishtimi e reflektimi. Ngjarja tragjike që ndodhi së fundmi, ku një nga kolegët tanë humbi jetën në sallën e gjyqit gjatë ushtrimit të detyrës, ka prekur zemrat e të gjithëve. Ajo ka tronditur themelin e besimit në sigurinë e institucioneve të drejtësisë dhe na ka vendosur përpara një përgjegjësie të madhe morale e institucionale.

Në këtë moment të rëndë, dua së pari të shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e kolegut tonë të ndjerë dhe të afërmit e tij. Humbja e tij është një plagë e thellë për trupën gjyqësore, për drejtësinë dhe për vetë shtetin. Ai ra në krye të detyrës, duke bërë atë që çdo gjyqtar bën çdo ditë: duke zbatuar ligjin me ndershmëri e përkushtim. Por kjo ngjarje nuk mund dhe nuk duhet të mbetet vetëm si një kujtesë e dhimbshme. Ajo duhet të jetë një pikë kthese, një moment përgjegjësie kombëtare. Sepse kur një gjyqtar vritet në sallën e gjyqit, kur një gjyqtar del me barrelë e pa jetë nga gjykata, i veshur me togën e gjyqtarit, nuk është goditur vetëm një individ – është goditur drejtësia vetë, është goditur shteti ligjor, është goditur besimi i qytetarëve te rendi kushtetues. Ky akt tragjik ka tronditur besimin tonë të përbashkët në sigurinë institucionale, por edhe ka nxjerrë në pah një të vërtetë që nuk mund të anashkalohet më: Sistemi i drejtësisë nuk mund të funksionojë siç duhet nëse vetë gjyqtari nuk ndihet i mbrojtur, i respektuar dhe i trajtuar me dinjitet.  Të gjithë duhet të kuptojnë se siguria e gjyqtarit nuk është një çështje individuale – është një çështje e vetë shtetit. Sepse gjyqësori është një nga tre shtyllat themelore të shtetit demokratik. Një gjyqësor i pasigurt, i pambrojtur dhe i pavlerësuar sjell pashmangshmërisht dobësim të vetë shtetit dhe të rendit kushtetues.

Të nderuar kolegë, Ne e dimë mirë se ushtrimi i funksionit gjyqësor nuk është i lehtë. Ai kërkon guxim, integritet dhe pavarësi. Por askush nuk duhet të kërkojë nga ne të tregojmë heroizëm për të zbatuar ligjin. Asnjë gjyqtar nuk duhet të hyjë në sallën e gjyqit me frikën për jetën e tij. Siguria në gjykata nuk është privilegj – është detyrim shtetëror dhe kusht themelor për funksionimin e drejtësisë. Sot, më shumë se kurrë, duhet të analizojmë realisht gjendjen e sigurisë në gjykatat tona. Masat që duhen ndërmarrë duhet t’i shohim në dy plane: imediat dhe afatgjatë.

Në lidhje me aspektin e parë, masat e sigurisë, tradicionalisht të përqendruara tek sistemet “e forta” si skanerët, detektorët e metaleve, kamerat e sigurisë, sallat e pritjes, shtimi i forcës mbrojtëse dhe policëve brenda ambienteve gjyqësore, si dhe ndarja e ambienteve të të pandehurve nga publiku, duhet të forcohen më tej, të unifikohen me praktikat më bashkëkohore dhe të shfrytëzojnë teknologjinë kudo ku është e nevojshme. Policia e Shtetit duhet të rikthehet në gjykata, duke qenë e pranishme në çdo sallë gjykimi, dhe jo vetëm në ruajtjen e ndërtesave. Po aq thelbësore janë edhe trajnimet e duhura për punonjësit e sigurisë, të cilat duhet të garantojnë profesionalizëm, reagim të shpejtë dhe komunikim të koordinuar me trupën gjyqësore.

Kjo është përgjigjja e menjëhershme për të krijuar një arkitekturë solide dhe të qëndrueshme për mbrojtjen fizike. Nuk mund të kërkojmë drejtësi të sigurt në ndërtesa të pasigurta.

Mungesa e kapaciteteve fizike dhe organizative të përshtatshme, vonesat në përmirësimin e kushteve të punës, mungesa e burimeve financiare dhe atyre njerëzore, sidomos e gjyqtarëve në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, përbëjnë rrezik të drejtpërdrejtë për funksionimin normal të kësaj gjykate. Është koha të ndërtojmë një plan institucional për ngritjen e një infrastrukture tërësisht të re gjyqësore, duke e parë sigurinë jo si një shpenzim, por si një investim për drejtësinë dhe për jetën.

Megjithatë, kjo qasje, reaktive dhe e kufizuar, duhet të ecë paralelisht me një zgjerim të konceptit të sigurisë, përfshirë sigurinë psikologjike, kulturore dhe sigurinë e aksesit për të gjithë qytetarët, veçanërisht për grupet e ndjeshme. Kjo kërkon një qasje më fleksibile dhe të përshtatur për nevojat e të gjithëve. Pra, një kombinim i domosdoshëm i qasjeve “të forta” dhe “të buta”, të unifikuara për të gjitha gjykatat e vendit.

Së dyti, nevojitet një protokoll i unifikuar dhe funksional reagimi të menjëhershëm ndaj çdo akti dhune apo kërcënimi ndaj gjyqtarëve dhe familjeve të tyre. Ky është një detyrim institucional që kërkon bashkërendim mes Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit. Eshtë e domosdoshme të krijohen mekanizma të posaçme si: trajnime për sigurinë personale, mbrojtja e të dhënave personale të gjyqtarëve dhe familjarëve të tyre nga publikimi në internet, si dhe sigurimi i burimeve të qëndrueshme buxhetore për sigurinë fizike dhe digjitale.

Në lidhje me nevojën për një Platformë të Përhershme të Sigurisë Gjyqësore: Kjo platformë duhet të jetë në përputhje me praktikat e vendeve të Bashkimit Evropian, të funksionoje si ndërinstitucionale, e përfaqësuar nga KLGJ, Ministria e Drejtësisë, Policia e Shtetit, KLP dhe Shkolla e Magjistraturës. Ajo duhet të përfshijë protokolle emergjente, mekanizma psikologjikë e socialë mbështetjeje për gjyqtarët, si dhe partneritete me organizata ndërkombëtare për ndërtimin e një modeli bashkëkohor sigurie.

Ajo që është më e rëndësishme, është që këto masa të mos mbeten thjesht përgjigje “pas ngjarjes”, por të shndërrohen në masa parandaluese dhe të përhershme, që garantojnë siguri proaktive dhe të vazhdueshme për gjyqtarët dhe familjet e tyre.

Një tjetër plagë që duhet të ndalet menjëherë është gjuha e urrejtjes që shpesh ushtrohet ndaj gjyqtarëve – qoftë nga përfaqësues të pushteteve të tjera, qoftë nga zëra publikë apo qytetarë të nxitur nga mosbesimi. Kjo gjuhë është e patolerueshme. Ajo ushqen mosrespektin ndaj drejtësisë, nxit dhunën dhe e minon besimin te shteti. Kritika është e shëndetshme, por sulmet personale, fyerjet dhe gjuhët denigruese nuk kanë vend në një shoqëri demokratike. Çdo gjuhë përbaltjeje ndaj punës së përditshme të gjykatave përbën një delegjitimim institucional, ndaj kërkohet një reagim i matur dhe i bashkërenduar i të gjitha institucioneve, për të bërë thirrje për respekt ndaj drejtësisë. Në këto momente, është thelbësore që trupa gjyqësore të mos tregojë kundërsulme, por të shfaqë solidaritet, qetësi dhe dinjitet, duke dhënë mbështetje profesionale dhe komunikim të koordinuar. Ne duhet të ndërtojmë një etikë të përbashkët bashkëpunimi, të mbrojmë figurën dhe autoritetin e gjyqtarit, por edhe të ruajmë besimin e qytetarëve në pavarësinë e gjykatave. Këtu dua të jem e qartë:

Përgjegjësia për garantimin respektit, sigurisë dhe kushteve të punës së gjyqtarëve nuk mund të jetë vetëm morale apo simbolike. Ajo duhet të jetë ligjore, institucionale dhe konkrete.

Kjo është një ditë për reflektim, por edhe për veprim. Kërkohet një reagim i menjëhershëm dhe i përgjegjshëm nga të gjitha pushtetet – ekzekutivi, legjislativi dhe organet e drejtësisë – për të siguruar kushte dinjitoze për ushtrimin e detyrës,  si dhe për të siguruar mbrojtjen e gjyqtarëve në çdo nivel.

Kjo ngjarje duhet të zgjojë ndërgjegjen e çdo institucioni publik që ka përgjegjësi në këtë fushë. Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm sot përballet me mungesën totale të infrastrukturës dhe kushteve të punës që nuk tejkalojnë as pragun minimal të standardeve europiane. Këto çështje ende të pazgjidhura, si dhe trajtimi social i gjyqtarëve kërkojnë zgjidhje urgjente, jo thjesht diskutim periodik.

Sot po zhvillojmë një mbledhje të jashtëzakonshme dhe secili prej nesh duhet të japë kontributin e tij për t’i dhënë rëndësinë që meriton, por mbi të gjitha për të konkluduar në nismat dhe masat konkrete që duhen marrë në një kohë sa më të shkurtër. Këto masa jane të domosdoshme për të garantuar siguri në ushtrimin e detyrës dhe për të forcuar besimin e publikut në drejtësi.

Të nderuar kolegë, Le ta kthejmë këtë dhimbje në forcë, këtë tronditje në veprim, dhe këtë moment në një thirrje të përbashkët për dinjitet dhe siguri.

Drejtësia nuk mund të mbrohet vetëm me fjalë. Drejtësia nuk mund të ketë frikë. Ajo mbrohet me veprime të guximshme, me institucione që funksionojnë dhe me respekt të ndërsjellë ndërmjet pushteteve.

Le të jemi të bashkuar në këtë qëndrim. Ky është borxhi që i kemi kolegut të ndjerë, vetes dhe brezave që do të vijnë.

Top Channel