LIVE/ Vrasja e gjyqtarit të Apelit të Tiranës, Astrit Kalaja në sallën e gjyqit, detaje nga ngjarja e rëndë

07/10/2025 08:56

Dje ka ndërruar jetë gjyqtari Astrit Kalaja i cili u qëllua me armë zjarri nga 30-vjeçari Elvis Shkambi brenda sallës së Gjykatës së Apelit, Tiranë.

00:13 “Do martoj vajzën, jam i lumtur”/ Zbulohet biseda e fundit e gjyqtarit Kalaja para se të vritej: Mezi pres…

Një gjyqar ka rrëfyer për gazetaren e Top Channel Anila Hoxha bisedën e fundit me Astrit Kalaja, para seancës që do të ishte e fundit për të.

“Martoj vajzën dhe jam i lumtur. Mezi e pres atë ditë”-ishin fjalët e gjyqtarit.

00:03 Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, nesër pezullohen të gjitha gjyqet në Gjykatën e Apelit

Ditën e sotme do të pezullohen të gjitha gjyqet në Gjykatën e Apelit, konfirmojnë burimet e gazetares së Top Channel Anila Hoxha.

Do të hidhet shorti vetëm për 12 masa sigurie, pasi mbaron afati. Të 12 masat i kishte gjyqtari që u vra sot brenda sallës së gjyqit.

Burimet thonë se gjyqtari ishte në treshe së bashku me Gilda Hoxhën dhe Enkelejda Bajo.

08:23 Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja jehonë në mediat e huaja, shkrimi i CNN për ngjarjen e rëndë në sallën e gjyqit

Ngjarja e rëndë e ndodhur këtë të hënë në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ku gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua për vdekje brenda sallës së gjyqit nga një person i përfshirë në procesin gjyqësor, ka marrë vëmendje edhe nga mediat ndërkombëtare.

CNN ka raportuar për ngjarjen e paprecedentë, duke theksuar se sulmi ndodhi në një vend që ka ndërmarrë prej vitesh reforma të thella në drejtësi, por që përballet ende me sfida të mëdha në funksionimin e sistemit.
08:37 Vrasja e gjyqtarit Kalaja, arrestohet xhaxhai i autorit dhe punonjësi i sigurisë

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, raporton se policia ka arrestuar edhe Gjon Shkambin, xhaxhain e autorit. Ndërkaq, në pranga ka rënë edhe roja i sigurisë së Gjykatës së Apelit.

Gjon Shkambi u arrestua për ‘vrasje në bashkëpunim’, ndërsa punonjësi i sigurisë për ‘shpërdorim detyre’. Ky i fundit kishte gjashtë muaj që kishte nisur punë tek detektori.

08:50 FOTOLAJM/ Heshtje në drejtësi, Gjykata e Apelit bosh pas vrasjes së gjyqtarit Kalaja

Pas vrasjes tronditëse të gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit, një heshtje ka ‘mbuluar’ Gjykatën e Apelit në Tiranë.

Në fotot e siguruara nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, shihet gjykata bosh.

Top Channel