Sekuestrohet “Lamborghini Urus” i 34-vjeçarit me disa precedente penale, si e përfitoi përmes ‘manovrave’ me një kompani

01/10/2025 10:17

Finalizohet operacioni policor i koduar “Manovra”, me objektiv gjurmimin e aseteve të përfituara nga krimet.

Sekuestrohet automjeti “Lamborghini Urus” i 34-vjeçarit Sahit Shpataj me precedent për disa vepra penale, ndër to, vjedhje nëpërmjet përvetësimit të padrejtë të detyrës shtetërore.

34-vjeçari dyshohet se e kishte regjistruar automjetin me vlerë rreth 160 000 euro, në emër të një kompanie, për të shmangur gjurmimin dhe për të justifikuar vlerën.

Vihen në hetim 34-vjeçari dhe pronari i kompanisë.

Njoftimi i policisë: Në vijim të operacioneve policore që kanë qëllim gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive me burime kriminale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, finalizuan operacionin “Manovra”.

Në kuadër të operacionit, u ndalua në aksin rrugor “Sauk-TEG”, automjeti tip “Lamborghini Urus”, me drejtues shtetasin S. Sh., 34 vjeç, me precedentë për vjedhje nëpërmjet përvetësimit të padrejtë të detyrës shtetërore, dhunë në familje dhe kundërshtim të punonjësve të Policisë.

Nga verifikimet e mëtejshme dyshohet se ky shtetas e kishte regjistruar këtë automjet, në emër të një subjekti tregtar në pronësi të shtetasit E. D., me qëllim justifikimin e vlerës së tij.

Në vijim të veprimeve procedurale nisi procedimi penal për të 2 këta shtetas.Vijojnë hetime për të gjurmuar dhe sekuestruar pasuri të tjera të shtetasit S. Sh.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Top Channel