
Nis seanca e dosjes “Partizani”, ku i pandehur është ish-kryeministri Sali Berisha.
Të pranishëm janë avokatët e tij, ndërsa ish-kryeministri mungon.
Siç raporton Anila Hoxha, i pranishëm është edhe Jamarbër Malltezi. Për shkak se seanca e mëparshme u shty për t’i dhënë kohë avokatit të Fatmir Bektashit dhe Homeplan që të flasë për kërkesat paraprake, gjyqi nis duke ftuar mbrojtjen të flasë.
Sokol Hazizaj tha: “I kërkoj gjykatës që aktet të konsiderohen të pavlefshme. Të konsiderohet i tillë procesverbali i sekuestrimit të kompjuterit. Kërkojmë nga gjykata që të cilësojë të pavlefshëm vendimin për kryerje akti daktiloskopik.”
Siç raporton Anila Hoxha, që është e pranishme në procesin që mbahet tani, avokati kërkon pavlefshmëri të këqyrjeve që pasojnë, si ekspertim topografik, teknik e elektronik.
Avokati tha: “Kërkoj të konstatohen të gjitha veprimet të pavlefshme dhe çdo caktim ekspertësh. Të konstatohen të papërdorshme aktet e hetuesve të BKH, duhen ekspertë të pavarur.
Këto kërkesa janë për Homeplan. Ndërsa për klientin Fatmir Bektashi, ajo çfarë kemi konstatuar është një punë e rëndomtë e organit procedues.
Janë marrë të njëjtët grumbuj shkresash dhe nuk dihet se ku është fillimi dhe mbarimi, çfarë ka bërë njëri dhe tjetri. Se me këtë logjikë, i bie të jenë të pandehur të gjithë personat që kanë blerë prona aty.
Si mund të çmohen këto prova kur nuk i kanë ndarë për secilin subjekt dhe nuk i kanë individualizuar? Ky lloj teatri duhet të marrë fund”.
Prokurori Arben Kraja kërkoi kohë që të njihet dhe të bëjë prapësimet. Gjykata, siç raporton Anila Hoxha, e shtyu procesin për në datë 13 tetor, ora 11:00. Gjykata gjithashtu vendosi se çdo seancë tjetër do të jetë çdo dy javë.
Top Channel