
Apeli i GJKKO i ka hequr masën e arrestit në shtëpi avokatit Besart Logu, i cili akuzohet nga SPAK se i ka marrë 8 mijë euro një klienti italian me qëllim për të ndikuar tek organet e drejtësisë për çështjen e tij.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtar Florjan Kalaja, sot më 29.09.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 68 akti, datë 22.09.2025 regjistrimi, mbi ankimin e personit nën hetim B.L., me objekt: “Ankim ndaj vendimit dhe vendimit nr. 92, datë 11.09.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Marrjen në pyetje të të arresuarit B.L.” dhe vendosi:
Ndryshimin e Vendimit Nr. 92, datë 11.09.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar.
Caktimin ndaj Z. B.L. të masës së sigurimit ndalues të parashikuar nga neni 243 i Kodit të Procedurës Penale, duke urdhëruar ndalimin e përkohshëm të ushtrimit të profesionit të avokatisë.
Urdhërohet sekretaria gjyqësore që një kopje të këtij vendimi t’i njoftohet Dhomës Kombëtare të Avokatisë.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke nisur ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar. U shpall në Tiranë, me datë 29.09.2025”, njofton Apeli i GJKKO.
Top Channel