“Pandi iku se nuk dëgjoi këshillat e Borës”, satira e Gjekmarkajt: Klosi e Damo me gisht në gojë, Ulsiut po i kafshojnë…

27/09/2025 17:22

Nga Agron Gjekmarkaj

Kronika rendit ngjarjet e rëndësishme pas ikjes së Ditmarit!

Qëkur Ditmari filloi punë si lektor e bahçevan për të rrumbullakosur rrogën në Harvard të Amerikës së largët, këtu ndodhen një sërë gjërash.

Nikua me mollëza pak të skuqura u bë bimbash i Kuvendit.

Unë vetë, falë vullnetit të Doktorit, u bëra zëvendës Nikoqir!

Bledion Nallbati që dikur moti i rehatonte shikimet mbi auren e hajthme të Mamicës është murretyer, është bërë meit!

Nuk përmbahet!

Një hije si vrugu mbi rrush i ka rënë mbi fytyrë.

“Do ta zboj,” tha Jeziti, “nga aty që i plaçin sytë i plaçin, mocion mocion renkoi!”

“Qetësohu vëlla,” i thamë, “Mamica rri me Rubion tani dhe e këshillon që edhe ai të lexojë Kurbanin e të lartësonet kulturalisht, nuk na e ka më ngënë neve të provincës! Vanë ato kohëra të ëmbla mjaltë!”

Komisionin për zgjedhjen e Nikos e kryesonte vetë Dilua.
Ai për atë ditë kishte zgjedhur kostumin e mirë të teritalit dhe ndihej i vlerësuar. I përqendruar tek misioni, nuk shihte rob në sy.

Tezja qau me krusma për ikjen e Ditmarit, me ndjeshmërinë dhe butësinë që e karakterizon, rrëkeja nuk pati të ndalur.

Nuk i kishte lot gëzimi, se u bë vezirë për arsim, sepse ajo e di se ç’e pret, po brengë e mall për shokun e betejave e të bisedave sekrete.

Para se t’i hypte balonës, ai la ca lek për çilimiqerit e shokëve të mazhorancës që mos t’u thahej goja për një akullore, se helbete janë robëruar për këtë popull e nuk kanë asnjë kacillë në xhep!
Secili prej tyre ngjan me Luigj Gurakuqin në idealizëm se mos e kanë mendjen për tendera e gjëra kësodore!

Ditmari për rrugës mori dhjetë fjalimet historike të Tonit për t’i konspektuar që t’i kishte hazër për studentët e atjeshëm. Retorikë e lartë, po e po, stil e stil, emfaza e emfazë!

Premtoi që si literaturë shtesë do u rekomandojë atyre veprën e Pirro Dëngut, botimet e Fortbes Mumjellarit dhe kumtesat e Sypetrit Malajt që kjo botë virane të vëjë mbroth!

Për çështje financash, se po shkojnë perdreq e Jankitë, po trazohen, natyrisht mund të ftojë Ibrahimnë bashkë me merhumnë e Cerrikut për të shartuar dardhë me ftua e shegë me portokall.

Dilemë e pati nëse i mbet hatri Anilës, se ajo di të imitojë blegërimat dhe mbase i hyn në punë!
Edhe Gonxhja mendoi se është si antibiotik kundër injorancës me kulturën e gjerë dhe artikulimin e thellë, ndaj po e pashë, pisk do e ftoj të ndriçojë udhën amanetqarëve të Harvardit, i rregëtiu mendimi i cili ju pre në mes nga një turbolencë!

Qeveria e re e Babos, e kryesuar nga Bela, kaloi pa debat e diskutime, se helbete për t’i mbrojtur nderin “Diellës” ikën qerratenjtë nga sytë këmbët! Babua fsheh një sakeldinë.

Bela dukej e gëzuar por e përmbajtur! Shikonte me qashtërsi Gaz Bardhin dhe lutej falë Zotit se nuk di çfarë bën ai lanet!

Kronika ka vënë kujën për Etildën. Toni në minutën e fundit i zuri vendin i pahajri.
Dert i madh, kthejmë kohën ç’të shohësh ca zdeprë e trukokallë të panjohur në vend të saj pa pikë melankolie!

Po Mimi di Puccini ku do jetë duke psherëtirë, mbi cilën urë e ka ndalur hapin? Pandi thonë që është parë nga ura e Qabesë! Nuk dëgjoi këshillat e Borës, i ngrati!

Klosi me Damon mbajnë përsëri me gisht në gojë duke fërkuar durimin.

Tao ka vënë rishtaz një gushë bubulake dhe ka marrë pamjen e njeriut të menduar me një barrë mendjeje evlat! I është rikthyer qetësia qafirit! Deputetët e rinj e shohin si Atë dhe ai i darovit si evlletër më bëma e eksperiencë jetë!

Ulsia duket si një intelektual i pavarur i cili mediton për këtë politikë jallane tek sheh se si Fate labi do t’i kafshojë komisionin!

Ndërsa Ogi duket si një sorakallë e përhumbur mes rropullive të fushatës që e pret!

Në Kryesinë e Kuvendit, slengu i fshatrave të Korçës ndihet nëpër korridore si gjuhë perëndie: ardhi, urovi, shkovi, gezovi, qevi, ndihet kudo!

Ikja e Kostaqit ngjante me shembjen e idhujve! E deboi Nikua themeluesin e PS-së, Kostaq, harvardistin e vërtetë, po e mori Mamica dhe po e mban si djalë dëshiri, plot kos me mjaltë, petulla e luleshtrylle në avenytë e New York-ut!

Nëjse, ditën që mblodhi plaçkat një re e zezë kishte rënë mbi siluetat e administratës! Kostaqi shkonte t’i pajtonte e ngushëllonte, por qante edhe vetë paksa, teksa kori i grave mallkonte:
“Nikoqir të rëntë, pika pa Kostaqnë e zezë është dita!”

Kostaqi në të dalë nxorri gjuhën, një pash, pellemben mbi hundë dhe iku, u bë erë! Tani kokë e tij si djall shfaqet pas kaçurrelave të Mamicës në OKB!

Ndërkohë, Ervin Saliani, si klerik i lartë i virtytit, ku gjen njerëz duke u zënë i pajton, ku sheh ndonjë portë të mbyllur e hap, ku ka plagë ve dorën si mëlhem i uruar!

Top Channel