
Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në DVP Tiranë ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Itinerari”, duke goditur një rast të veprimtarisë kriminale në fushën e falsifikimit të dokumenteve.
Në pranga ka rënë organizatori i dyshuar i këtij aktiviteti të paligjshëm, shtetasi A.T., 22 vjeç, me origjinë nga Bregu i Fildishtë dhe banues në Paskuqan. Bashkë me të, janë vënë nën hetim edhe dy bashkëpunëtorë, shtetasi Y.Z., 22 vjeç, po ashtu nga Bregu i Fildishtë dhe shtetasi shqiptar A.R., 46 vjeç, banues në Shkodër.
Sipas Policisë, gjatë hetimeve të zhvilluara për disa javë, janë dokumentuar 7 raste të falsifikimit të vizave hyrëse në Shqipëri, të cilat iu janë shitur shtetasve nga Vendet e Treta kundrejt shumës prej 1000 eurosh për dokument.
Të dyshuarit bashkëpunonin për sigurimin dhe shpërndarjen e vizave të falsifikuara me qëllim lehtësimin e hyrjes së paligjshme në territorin shqiptar.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.
Hetimet vijojnë për të dokumentuar tërësisht aktivitetin kriminal të këtij grupi dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Top Channel