Apartamente të kthyera në fole prostitucioni, arrestohet organizatori/ 37-vjeçarit nga Turqia i sekuestrohen telefonat

27/09/2025 11:37

37-vjeçari nga Turqia është vënë në pranga, si organizatori i një rrjeti prostitucioni.

Në kuadër të operacionit “Space”, të organizuar më datë 22.09.2025, u konstatua se ai i kishte kthyer apartamentet në fole prostitucioni.

Gjatë fazës së parë të këtij operacionit, Seksioni për Hetimin e Trafiqeve arrestoi 3 shtetase kineze dhe referoi materialet në Prokurori, për 5 shtetas.

”Si rezultat i hetimeve të kryera në kuadër të këtij operacioni, me qëllim nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të të gjithë shtetasve të implikuar në një rast të përshtatjes së apartamenteve, për ushtrim të prostitucionit, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në drejtimin e Prokurorisë, identifikuan organizatorin e dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale, shtetasin turk I. Y., 37 vjeç, i cili u kap nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, Tiranë.

Nga hetimet e deritanishme dyshohet se ky shtetas ka rekrutuar 3 shtetaset kineze (të arrestuara gjatë operacionit “Space”), për të ushtruar prostitucion në një apartament të marrë me qira në lagjen nr. 13, Durrës. Sekuestrohen 3 celularët e këtij shtetasi”, njofton policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.

Top Channel