
Këshilli i Ministrave ka vendosur të propozojë kandidaturën e ish-zëvendësministres së Financave dhe Ekonomisë, Adela Xhemali, për anëtare të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), me detyrën e Drejtoreshës së Përgjithshme Ekzekutive të Autoritetit.
Sipas Ekofin.al, ky vendim u mor gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë, ku u shqyrtuan edhe disa akte të tjera të rëndësishme.
Kandidatura e Xhemalit pritet të kalojë për miratim në Kuvend, sipas procedurave ligjore. Ajo do të zëvendësojë Mimoza Kaçit, e cila po përfundon mandatin e saj.
Adela Xhemali ka mbajtur postin e Zëvendësministrit të Financave dhe Ekonomisë gjatë periudhës shkurt 2020 – mars 2025.
Fushat e saj të përgjegjësisë janë përqendruar në makroekonomi; planifikim dhe buxhetim; thesar; borxh publik dhe menaxhim të financave publike, si edhe proceset e integrimit evropian.
Më herët ka mbajtur detyrën e Drejtorit të Njësisë së Projekteve Kombëtare të Zhvillimit, Drejtorit të Programimit Financiar dhe Ndihmës së Huaj në Kryeministri, si dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Departamentit të Thesarit dhe Menaxhimit të Borxhit Publik.
Gjatë viteve 2020–2025, znj. Xhemali ka qenë përfaqësuese e Republikës së Shqipërisë, në rolin e guvernatores, zëvendësguvernatores apo anëtare e këshillave administrativë, në disa institucione financiare ndërkombëtare dhe banka shumëpalëshe zhvillimi, si FMN, grupi i Bankës Botërore, MIGA, BERZH, CEB, ISBD, etj.
Ajo ka mbajtur pozicionin e anëtarit të bordit ose kryetarit të bordit në institucione të ndryshme shqiptare, si Agjencia e Sigurimit të Depozitave, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Korporata e Investimeve Shqiptare, etj.
Përvoja e znj. Xhemali në sektorin privat është përqendruar në industrinë bankare, ku ka mbajtur pozicione drejtuese, si Drejtor Financiar (CFO) dhe Zëvendëspresident i American Bank of Albania dhe Intesa Sanpaolo Bank për 13 vite.
Ajo është diplomuar në Universitetin e Tiranës me Master Shkencor në Financë/Bankë dhe në Universitetin e Liverpool-it, me diplomë Bachelor në Administrim Biznesi. Gjithashtu ka ndjekur studime në Hult Ashridge Executive Education dhe në Harvard Kennedy School Executive Education.
Top Channel