
Edicioni i 100-vjetorit të Kupës së Botës mund të sjellë një ndryshim historik: zgjerimin e formatit në 64 ekipe.
Sipas burimeve nga The Athletic, kjo nuk është më thjesht një ide apo spekulim, por një propozim konkret që u diskutua në një samit të mbajtur të martën në selinë amerikane të FIFA-s, në Trump Tower, New York.
Në takim morën pjesë figura kyçe të futbollit botëror, përfshirë presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, dhe sekretarin e përgjithshëm, Mattias Grafstrom. Ata u takuan me një delegacion të nivelit të lartë nga Amerika e Jugut, i kryesuar nga presidenti i CONMEBOL-it dhe zëvendëspresident i FIFA-s, Alejandro Domínguez. Delegacioni përfshinte gjithashtu presidentët e Paraguait dhe Uruguait, Santiago Peña dhe Yamandú Orsi, si dhe drejtuesit e federatave të futbollit të Argjentinës, Paraguait dhe Uruguait.
Pavarësisht përfshirjes së gjerë nga rajoni, presidenti i Argjentinës, Javier Milei, nuk mori pjesë në takim, pasi ndodhej në një takim me Presidentin amerikan Donald Trump.
Ideja e zgjerimit në 64 ekipe synon të nderojë edicionin e parë të Kupës së Botës, të zhvilluar në Uruguaj në vitin 1930. Kjo do të ishte një lëvizje simbolike që synon të japë më shumë peshë përfshirjes së Argjentinës, Paraguait dhe Uruguait – të cilët aktualisht janë parashikuar të presin vetëm nga një ndeshje hapëse secili – përpara se turneu të zhvendoset në vendet organizatore kryesore: Spanjë, Portugali dhe Marok.
Megjithëse për herë të parë po diskutohet në mënyrë zyrtare, ideja ka qarkulluar që prej muajit mars, kur presidenti i Federatës së Futbollit të Uruguait, Ignacio Alonso, e propozoi në një mbledhje të Këshillit të FIFA-s.
Propozimi nuk është pritur pozitivisht nga të gjitha palët. Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, e ka cilësuar idenë si “të tmerrshme”, duke e kundërshtuar fuqishëm qysh në pranverë. Edhe kreu i CONCACAF-it, Victor Montagliani, ka shprehur skepticizëm: “Nuk është një ide e shkëlqyer. Ne ende nuk kemi zhvilluar një Kupë Bote me 48 ekipe.”
Aktualisht, gjithçka mbetet në fazën e diskutimeve. Vendimi përfundimtar do të varet nga negociatat ndërmjet FIFA-s dhe konfederatave kontinentale, të cilat do të peshojnë aspektet organizative, financiare dhe sportive të një zgjerimi të mundshëm.
Nëse miratohet, edicioni i vitit 2030 do të jetë një nga më të veçantët në historinë e turneut – jo vetëm për shkak të jubileut, por edhe për shkak të përmasave të reja të garës më prestigjioze në futbollin botëror.
Top Channel