
Në pritje për t’u rikthyer në fushë, ndoshta kundër Napolit në ndeshjen e radhës të kampionatit, Rafa Leao pëlqen të tregojë dhe të zbulojë disa prapaskena që e çuan në verën e vitit 2019 të veshë fanellën e Milanit.
Karriera e portugezit mund të kishte marrë rrugë të tjera dhe disa prej tyre, sipas tij, ishin “të çmendura”. Në një episod të podcast-it Say Less, numri 10 kuqezi ka treguar kur drejtori sportiv i Lille ishte gati ta shiste tek Interi: “Unë i thashë jo, doja të qëndroja edhe një vit tjetër për t’u përmirësuar. Ai, megjithatë, ngulte këmbë: ‘Duhet të të shes, është një mundësi e shkëlqyer për ty, për ne, janë shumë para’. Por unë i thashë Interit jo”.
Klubi francez, përballë vendosmërisë së Leaos, u tërhoq. Por gjithçka ndryshoi brenda tre javësh dhe pas një telefonate: “Drejtori sportiv më tha që Milani ishte i interesuar për mua. Unë i thashë: ‘Po, nëse do të vijnë me një propozim, do ta pranoj’. Dy ditë më pas ai u kthye dhe më tha që oferta ekzistonte dhe se një person donte të fliste me mua. Më lidhi me Paolo Maldinin, ishte në video. Ai më tha që duhej të vija në Milano dhe që ishin gati të më merrnin. Nuk mund të thoja jo”.
I lindur në vitin ’99, Leao gjithmonë ka qenë i magjepsur nga Djalli, që kur ishte fëmijë. Në momentin e zgjedhjes, nuk pati dyshime: “Ronaldinho, Ronaldo, Kakà, Seedorf: ata lojtarë ishin histori. Pastaj, shtatë Champions League, vetëm Real Madridi ka më shumë. Midis Milanit dhe Interit, njëqind herë Milan”.
Top Channel