Humbi Topin e Artë, por Yamal mban fjalën/ Ylli spanjoll feston me delegacionin e Barcelonës duke i qerasur me… hamburgerë

23/09/2025 14:42

Lamine Yamal, talenti 18-vjeçar i Barcelonës, ndonëse nuk e fitoi “Topin e Artë” 2025, ka surprizuar drejtuesit dhe stafin e klubit me një gjest të veçantë – një darkë të vonë me hamburgerë, në orët e para të mëngjesit.

Pas ceremonisë luksoze në Paris, ku Ousmane Dembélé u shpall lojtari më i mirë në botë, delegacioni i Barcelonës kishte harruar të hante nga entuziazmi dhe angazhimet e ditës. Por Yamal, së bashku me shokun e tij të ekipit Pau Cubarsí, ndaluan rrugës për në aeroport për të blerë ushqim për të gjithë.

Lajmin e konfirmoi vetë presidenti i Barçës, Joan Laporta, në një intervistë për stacionin radiofonik RAC1: “Rrugës për në aeroport, kuptuam se nuk kishim ngrënë pothuajse asgjë gjatë gjithë ditës për shkak të udhëtimit, përgatitjeve dhe ceremonisë gala. Ishim të uritur.

Atëherë, Lamine pa një vend që bënte hamburgerë. Ai dhe Cubarsí zbritën për të blerë për të gjithë. I hëngrëm në makinë dhe ishin vërtet të mirë.”

Delegacioni i Barcelonës, përfshirë lojtarët dhe drejtuesit, nuk arriti të flinte para orës 5 të mëngjesit, pavarësisht se ekipi do të përballet me Real Oviedon të enjten, në një ndeshje të rëndësishme të kampionatit.

Yamal, i cili është në dyshim për shkak të një dëmtimi në kofshë, ishte një nga favoritët për çmimin këtë vit, me shumë ekspertë dhe tifozë që e konsideronin kandidatin ideal për t’u bërë fituesi më i ri në historinë e “Topit të Artë”. Madje, babai i tij ka deklaruar se Lamine është “lojtari më i mirë në botë, me diferencë”.

Megjithatë, presidenti Laporta siguroi se i riu e ka përballuar me maturi zhgënjimin: “Lamine është mirë. Sigurisht, do të donte ta fitonte çmimin, por na mungoi vetëm finalja e Ligës së Kampionëve. Ai është i motivuar për të punuar dhe për ta fituar vitin e ardhshëm. Do të bëhet më i miri në botë.”

Top Channel