E pabesueshme në Anfield/ Sulmuesi i sapoardhur i jep kualifikimin dramatik Liverpool-it, por largohet me të kuq pas festimit

23/09/2025 22:59

Në një ndeshje dramatike të EFL Cup mes Liverpool-it dhe Southampton-it, Hugo Ekitike ishte protagonisti absolut në minutat e fundit të takimit. Sulmuesi i “The Reds” shënoi golin e avantazhit në minutën e 85-të, duke rikthyer ekipin e tij në epërsi 2-1, por festimi i tij rezultoi fatal.

Vetëm një minutë pas golit, Ekitike mori kartonin e dytë të verdhë për heqjen e fanellës gjatë festimit, një gjest që konsiderohet shkelje sipas rregullores së FIFA-s. Si pasojë, ai u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe u detyrua të lërë fushën menjëherë pas momentit të tij të lavdishëm.

Më herët, ai ishte ndëshkuar me karton të verdhë në minutën e 53-të, duke e bërë të pashmangshëm përjashtimin pas gabimit të dytë.

Liverpool kishte kaluar fillimisht në avantazh në pjesën e parë me golin e Alexander Isak në minutën e 43-të, asistuar nga Federico Chiesa. Southampton reagoi në pjesën e dytë, duke barazuar me Charles në minutën e 76-të. Por ishte Ekitike që zgjidhi gjithçka, përpara se të linte ekipin me 10 lojtarë.

Kjo fitore i jep Liverpool-it kualifikimin në fazën e 1/8-ve të EFL Cup, me “Reds” që vijojnë të jenë në garë për çdo trofe.

Top Channel