Trump “nuk heq dorë” nga Gaza: Marrëveshja së shpejti, do lirojmë pengjet

08/09/2025 13:34

Pasi i lëshoi Hamasit atë që e cilësoi “si paralajmërimin e fundit” për grupin islamik, presidenti amerikan Donald Trump la të kuptohet se një marrëveshje për

Rripin e Gazës mund të arrihet së shpejti për ta siguruar lirimin e të gjitha pengjeve. Duke folur për gazetarë pasi mbërriti në Uashingtonin në vazhdën e një udhëtimi të shkurtër në Nju Jork, Trump tha se e kishte diskutuar marrëveshjen në avion, edhe pse nuk hyri në detaje. Ai theksoi vetëm se mendon se të gjitha pengjet do të kthehen.

“Ne po punojmë për një zgjidhje që mund të jetë shumë e mire. Do të dëgjoni për të shumë shpejt. Po përpiqemi ta përfundojmë këtë, dhe t’i kthejmë pengjet”, tha Trump.

“Izraelitët i kanë pranuar kushtet e mia. Është koha që Hamasi t’i pranojë gjithashtu”, kishte shkruar Trump më herët në platformën e tij Truth Social. “E kam paralajmëruar Hamasin për pasojat e mospranimit. Ky është paralajmërimi im i fundit, nuk do të ketë një tjetër!”, vazhdonte mesazhi.

Hamasi tha më vonë se i kishte pranuar disa ide nga pala amerikane përmes ndërmjetësve, për ta arritur një marrëveshje armëpushimi në Gazë, dhe se po shtjellonte mënyrat për t’i zhvilluar ato ide.

As drejtues të tij nuk dhanë hollësi për marrëveshjen e mundshme, për vetëm përsëritën gatishmërinë për bisedime për lirimin e të gjithë pengjeve në këmbim që “lufta të shpallet shumë qartë e përfunduar” dhe që forcat izraelite të tërhiqen plotësisht nga toka palestineze.

Top Channel