
Një seri sulmesh ajrore u kryen ndaj ndërtesave në Gaza të hënën në mëngjes, pa ndonjë deklaratë zyrtare të menjëhershme nga IDF, sipas Times of Israel.
Sulmet pasuan deklaratat e Ministrit të Mbrojtjes Izraelite, Yisrael Katz, i cili postoi një mesazh në Platformën X, duke paralajmëruar se “sot një uragan i fuqishëm do të godasë qiellin e Gazës dhe çatitë e kullave të terrorit do të dridhen”.
Katz theksoi se ky ishte “paralajmërimi i fundit për vrasësit dhe përdhunuesit e Hamasit në Gaza dhe në hotelet luksoze jashtë vendit”, duke u bërë thirrje atyre të lirojnë pengjet dhe të dorëzojnë armët. “Përndryshe, Gaza do të shkatërrohet dhe ju do të shfaroseni”, shkroi ai.
Në të njëjtën kohë, ai theksoi se “IDF po vazhdon planet e saj” dhe se një zgjerim i operacionit tokësor po përgatitet me qëllim mposhtjen e plotë të Gazës. Mesazhi i ministrit izraelit vjen ndërsa vendi përgatit një ofensivë të madhe për të kapur Qytetin e Gazës, në pjesën veriore. Atje, para evakuimeve të fundit, rreth një milion civilë kishin gjetur strehim. Benjamin Netanyahu tha dje se më shumë se 100,000 njerëz tashmë janë larguar nga zona.
Në ditët e fundit, ushtria izraelite ka shënjestruar çdo ditë një kullë në Gaza, duke dhënë paralajmërime paraprake për evakuim. IDF pretendon se këto ndërtesa janë përdorur nga Hamasi, ndërsa kjo taktikë shihet gjithashtu si një përpjekje për të ushtruar presion mbi civilët që të largohen nga qyteti në prag të operacionit të ardhshëm të pushtimit.
Top Channel