Gjykata e Lartë e Izraelit ka deklaruar se autoritetet izraelite nuk po sigurojnë ushqim të mjaftueshëm për të burgosurit palestinezë, duke kërkuar ndërhyrje urgjente për përmirësimin e kushteve të tyre ushqimore.

Në një vendim të publikuar të dielën, trupa prej tre gjyqtarësh theksoi se shteti ka detyrim ligjor të garantojë ushqim të mjaftueshëm për të ruajtur “nivelin bazë të ekzistencës” për të burgosurit.

Mijëra palestinezë ndodhen në burgjet izraelite, shumë prej tyre për akuza terrorizmi, ndërsa mijëra të tjerë janë arrestuar që nga fillimi i luftës në Gaza në tetor 2023.

Vendimi i gjykatës vjen në një kohë kur presioni ndaj qeverisë izraelite po rritet. Organizata për të Drejtat Civile në Izrael (ACRI), e cila ngriti padinë, kërkoi zbatimin e menjëhershëm të vendimit, duke paralajmëruar për raste të kequshqyerjes dhe urisë në mesin e të burgosurve.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump lëshoi një “paralajmërim të fundit” për Hamasin të dielën në mbrëmje, duke u bërë thirrje që të pranojnë marrëveshjen për lirimin e pengjeve izraelite në Gaza. Ai shkroi në platformën e tij Truth Social: “Ky është paralajmërimi im i fundit, nuk do të ketë një tjetër!”

Hamas deklaroi se është gati të ulet “menjëherë në tryezën e negociatave”, pas disa ideve të reja të propozuara nga SHBA për një armëpushim. Trump gjithashtu tha se pret një marrëveshje të afërt për Gazën dhe kthimin e pengjeve – të gjallë ose të vdekur.

Nga 48 pengjet ende në Gaza, besohet se rreth 20 janë ende gjallë. Megjithatë, Izraeli nuk ka dhënë ende një përgjigje zyrtare për marrëveshjen e propozuar, ndërsa kryeministri Benjamin Netanyahu vijon të këmbëngulë se “fitorja totale ndaj Hamasit” do të sjellë kthimin e pengjeve.

Protestat në Izrael janë intensifikuar, me mijëra qytetarë që dolën në rrugë të shtunën duke kërkuar fundin e luftës në Gaza dhe lirimin e pengjeve.

Në terren, ofensiva e IDF-së në Gaza po vazhdon. Të dielën, një tjetër godinë shumëkatëshe ndërtesa Al-Roya u godit nga ajri, duke u bërë e treta me radhë që shkatërrohet në tre ditë. Ushtria izraelite pretendon se ndërtesa përmbante pajisje të inteligjencës së Hamasit, por kjo u mohua nga Ministria e Brendshme palestineze.

Zyrtarët shëndetësorë në Gaza raportojnë se të paktën 87 persona janë vrarë në 24 orët e fundit. Numri i viktimave palestineze ka arritur në 64,368, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së drejtuar nga Hamasi, shifra që OKB i konsideron të besueshme, pavarësisht kundërshtimeve të Izraelit.

Ndërkohë, Izraeli vazhdon të mohojë aksesin për Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC) për të vizituar të burgosurit palestinezë që prej sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023.

Ministri i Sigurisë Itamar Ben Gvir reagoi ashpër ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë, duke shkruar në ‘X’: “Pengjet tona në Gaza nuk kanë Gjykatë të Lartë që t’i mbrojë. Ne do të vazhdojmë të sigurojmë vetëm kushtet minimale të kërkuara nga ligji për terroristët e burgosur.”

Top Channel