Një nga vendet më të shenjta në botë po shndërrohet në një mega-resort luksoz

07/09/2025 09:21

Një nga vendet më të shenjta në botë, Mali Sinai në Egjipt po përballet me transformim rrënjësor, ndërsa autoritetet po ndërtojnë një mega-resort luksoz në këtë zonë të shenjtë për hebrenjtë, të krishterët dhe myslimanët.

Për shekuj, pelegrinët janë ngjitur në malin e njohur si Jabal Musa, për të parë lindjen e diellit apo për të ndjekur udhëtime shpirtërore me udhërrëfyesit beduinë lokalë. Por tashmë, kjo zonë e shpallur Trashëgimi Botërore nga UNESCO po transformohet në një kompleks turistik me hotele luksoze, vila, qendra tregtare dhe një teleferik deri në majë të malit.

Në këtë zonë ndodhet edhe Manastiri i Shën Katerinës, një nga manastiret më të vjetra të krishtera në përdorim të vazhdueshëm, i drejtuar nga Kisha Ortodokse Greke. Pas presionit diplomatik nga Greqia, autoritetet egjiptiane mohuan se kishin në plan ta mbyllnin manastirin, por gjykatat egjiptiane e kanë cilësuar tokën ku ndodhet manastiri si pronë shtetërore, çka ka ngritur alarm për fatin e tij.

Ndërkohë, komuniteti autokton beduin Jebeleya, i njohur si “Rojet e Shën Katerinës”, po përjeton zhvendosje të detyruar dhe shkatërrim të shtëpive e kampeve ekologjike pa kompensim. Raportohet madje se janë zhvarrosur trupa nga varrezat lokale për të ndërtuar një parking të ri pranë manastirit.

“Ky nuk është zhvillim i qëndrueshëm siç pretendohet, por një projekt i imponuar që i shërben të huajve dhe jo komunitetit lokal,” – thotë shkrimtari britanik Ben Hoffler, i cili ka punuar me fiset beduine të Sinait.

Projekti i njohur si “Transformimi i Madh” është promovuar nga qeveria si “dhuratë për botën dhe të gjitha besimet”, por është kritikuar gjerësisht për shkeljen e trashëgimisë kulturore dhe fetare. Në terren, UNESCO ka paralajmëruar për dëmtimin e peizazhit të paprekur malor dhe ka kërkuar ndalimin e menjëhershëm të ndërtimit – por punimet vazhdojnë.

Përplasjet diplomatike kanë përfshirë Greqinë dhe Patrikanën Ortodokse të Jeruzalemit, e cila rikujtoi se vetë Profeti Muhamed i kishte dhënë mbrojtje manastirit me një dokument historik, duke e cilësuar si “simbol i paqes mes myslimanëve dhe të krishterëve”.

Ndërkohë, organizata si World Heritage Watch dhe St Catherine Foundation, me mbështetjen e Mbretit Charles të Britanisë, kanë kërkuar që zona të shpallet “Trashëgimi Botërore në Rrezik”.

Egjipti synon të rikthejë industrinë turistike pas krizave të Covid-19 dhe luftës në Gaza, duke shpresuar të arrijë 30 milionë turistë deri në vitin 2028. Por kritikat rreth mungesës së përfshirjes së komuniteteve lokale siç ndodhi edhe në zhvillimin e zonave turistike në Detin e Kuq në vitet ’80 po rikthehen me forcë.

Top Channel