Humbjet e rënda zgjedhore trondisin kryeministrin e Japonisë, Shigeru Ishiba jep dorëheqjen e menjëhershme

07/09/2025 18:05

Kryeministri japonez Shigeru Ishiba ka dhënë dorëheqjen pas më pak se një viti në detyrë, pas dy humbjeve të mëdha zgjedhore që lanë Partinë Liberal Demokrate (PLD) pa shumicë në parlament për herë të parë në 15 vjet.

Largimi i tij vjen në një kohë të vështirë për Japoninë, e cila përballet me krizë ekonomike dhe pasiguri rajonale.

Dorëheqja e Ishibës u njoftua një ditë përpara një votimi të mundshëm të brendshëm brenda PLD-së që mund ta kishte detyruar atë të largohej nga udhëheqja. Gjatë mandatit të tij të shkurtër që nisi në tetor 2024, ai nuk arriti të frymëzojë besim publik, teksa inflacioni dhe kriza e kostos së jetesës goditën rëndë ekonominë japoneze — përfshirë dyfishimin e çmimeve të orizit.

Pavarësisht trysnisë në rritje, Ishiba kishte refuzuar të jepte dorëheqjen derisa të përfundonin negociatat me SHBA-në për tarifat ndaj eksporteve japoneze. “Kam besuar fuqimisht se negociatat në lidhje me masat tarifore të SHBA-së, të cilat mund të përshkruhen si një krizë kombëtare, duhet të përfundojnë nën përgjegjësinë e administratës sonë,” deklaroi ai.

Marrëveshja me SHBA-në, e arritur javën e kaluar për të lehtësuar tarifat e vendosura nga Presidenti Donald Trump, duket se i hapi rrugë vendimit të tij për dorëheqje.

Shkak për pakënaqësi ishin gjithashtu një sërë polemikash të brendshme, përfshirë kritikat ndaj emërimit të vetëm dy grave në kabinet dhe akuzat për shpërndarje dhuratash të shtrenjta anëtarëve të partisë.

PLD, e cila ka dominuar politikën japoneze për dekada, do të mbajë tani zgjedhje të brendshme për të emëruar një udhëheqës të ri, i cili më pas pritet të miratohet nga parlamenti si kryeministër.

Dorëheqja e Ishibës sjell një periudhë pasigurie politike për Japoninë — ekonominë e katërt më të madhe në botë dhe një aleate kyçe e SHBA-së — në një kohë kur tensionet me Kinën dhe sfidat rajonale janë në rritje.

Top Channel