Nigel Farage ‘shpërthen’ në konferencë: Anijet me emigrantë do ndalojnë brenda dy javësh nga momenti që do bëhem kryeministër

06/09/2025 10:00

Lideri i Reform UK, Nigel Farage, u zotua se do të ndalojë menjëherë kalimet e anijeve me emigrantë në Kanal nëse arrin të bëhet Kryeministër.

Premtimi u bë gjatë konferencës së partisë në Birmingham, ku morën pjesë rreth 6,000 mbështetës, mes brohoritjeve, muzikës dhe piroteknikës.

Farage tha se brenda dy javësh nga marrja e qeverisë, do të ndërmerrte masa të rrepta kundër emigracionit të paligjshëm.

“Do t’i ndalojmë anijet dhe do t’i deportojmë ata që hyjnë ilegalisht. Nuk mund të vish këtu ilegalisht dhe të qëndrosh. Do të bëjmë atë që bën çdo vend normal në botë”, deklaroi ai.

Kreu i Reform UK foli edhe për tensionet në Partinë Laburiste, duke parashikuar një “luftë civile të majtë” pas dorëheqjes së Angela Rayner. Sipas tij, deputetët me prirje më radikale do të sfidojnë Sir Keir Starmer, duke e përçarë partinë dhe duke e shtyrë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme para vitit 2029.

Në skenë, Farage prezantoi edhe figurën e re të partisë, ish-sekretaren konservatore të kulturës Nadine Dorries, e cila iu bashkua Reformës ditë më parë.

Reform UK ka hyrë në konferencën e saj dy-ditore në Birmingham me një epërsi 10 pikë në sondazhe, duke e bazuar këtë rritje kryesisht te qëndrimi i saj i ashpër ndaj migracionit dhe krimit.

Me këtë ofensivë politike, Farage kërkon të shfaqet si alternativë e gatshme për qeverisje në Britaninë e Madhe.

Top Channel