Izraeli rrënon kullën 15-katëshe në Gaza ku strehoheshin palestinezët, paralajmërime të forta nga OKB për katastrofë humanitare

06/09/2025 14:35

Një sulm izraelit të shtunën shkatërroi një tjetër ndërtesë 15-katëshe në qytetin e Gazës, duke përfshirë Al-Sussi Tower, e cila shërbente si banesë për shumë persona të zhvendosur, sipas dëshmitarëve dhe mediave lokale.

Forcat Izraelite të Mbrojtjes (IDF) thanë se ndërtesa përdorej nga organizata terroriste Hamas. Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, publikoi një video të ndërtesës duke u rrënuar dhe shkroi në X: “Po vazhdojmë”.

Ky sulm erdhi disa orë pasi ushtria izraelite u bëri thirrje banorëve të Gazës të largoheshin drejt një “zone humanitare” në jug të qytetit, ku ndodhen spitale fushore, furnizime me ujë dhe ushqim, si dhe pajisje mjekësore.

Komuniteti ndërkombëtar, përfshirë OKB-në, ka paralajmëruar për një katastrofë humanitare, me rreth një milion njerëz në qytet dhe rrethinat e tij.

Shumë palestinezë kanë deklaruar për AFP se nuk ekziston një vend i sigurt në Gaza dhe se nuk duan të zhvendosen përsëri.

Ndërkohë, ushtria izraelite ka avancuar në qytet duke përdorur sulme të rënda, ndërsa qeveria e Benjamin Netanyahu ka urdhëruar marrjen e kontrollit të qytetit, pavarësisht paralajmërimeve për rreziqet humanitare.

Dhjetëra mijëra rezervistë izraelitë janë thirrur për operacionin. Në sfond, negociatat për lirimin e 48 pengjeve që mbahen nga Hamas vazhdojnë të jenë të tensionuara.

Disa pengje kanë bërë thirrje për të mos vazhduar ofensivën, ndërsa Izraeli kërkon një marrëveshje “të gjithëve ose asnjë”, ku të lirohen të gjithë pengjet njëherësh dhe Hamas të dorëzohet.

Sulmet e fundit synojnë liderët kryesorë dhe luftëtarët e Hamas, duke reduktuar grupin militant palestinez në një forcë guerile.

Hamas ka ofruar lirimin e disa pengjeve për një armëpushim të përkohshëm, por negociatat e fundit mes palëve, të ndërmjetësuara nga SHBA dhe shtete arabe, dështuan në korrik.

Top Channel