Largimi i Adrian Bajramit nga Kombëtarja, një leksion për të mos humbur më talente

01/09/2025 21:09

Nga Jon Lumani

Lajmi se Adrian Bajrami ka vendosur të braktisë Kombëtaren shqiptare për të përfaqësuar Zvicrën ka shkaktuar zhgënjim të madh tek tifozët kuqezi.

Disa e kanë parë menjëherë si akt tradhtie, duke e akuzuar mbrojtësin se i ktheu shpinën vendit të origjinës. Por pyetja që duhet bërë është: a është Bajrami vërtet “tradhtar”, apo është “tradhtuar” nga mënyra se si menaxhohet Kombëtarja jonë?

Në fakt, ky nuk është një rast i izoluar. Ne e kemi parë më parë këtë film, me aktorë të ndryshëm.

Ne kemi parë edhe në të kaluarën kur një mbrojtës si Mërgim Mavraj që u bë edhe kapiten i Shqipërisë, u neglizhua, madje i kërkuan të kthente edhe paspaortën. Ai kishte marrë ftesë nga moshat e Gjermanisë, por zgjodhi Shqipërinë. FSHF e neglizhoi deri në atë pikë sa për pak e humbëm, por për fat ishte De biazi ai që bëri diferencën dhe e bindi të luante me Shqipërinë.

Kur një lojtar ndihet i lënë mënjanë, është e natyrshme që të zgjedhë një rrugë tjetër.

Adrian Bajrami u grumbullua disa herë nga Sylvinho, por asnjëherë nuk u aktivizua në ndeshje zyrtare. Në vend që të ndihej pjesë e projektit, ai mbeti në stol si “turist”. Kur një lojtar i ri sheh që nuk i jepet mundësia për të treguar veten, ndërkohë që një federatë tjetër i ofron minuta dhe një projekt afatgjatë, zgjedhja bëhet e thjeshtë. Kjo nuk është tradhti, kjo është pasojë e një politike të gabuar.

Sigurisht, Sylvinho e ka meritën e madhe për suksesin historik të Shqipërisë në Euro 2024. Nën drejtimin e tij, kuqezinjtë dolën të parët në grup, përpara Polonisë dhe Çekisë, dhe u rikthyen në skenën e madhe të futbollit europian. Ky është një sukses që nuk duhet harruar dhe që ka vulën e tij.

Por që nga ai moment, duket sikur braziliani ka ndryshuar qasje. Në vend që të përdorë Euro 2024 si trampolinë për të rinovuar ekipin dhe për të integruar lojtarë të rinj, ai ka preferuar të mbështetet te i njëjti bllok futbollistësh, duke shmangur çdo risk. Në grumbullimet e fundit, lista ka qenë pothuaj identike me atë të muajve të mëparshëm, edhe pse rezultatet nuk kanë qenë aspak bindëse. Barazimi në Tiranë me Serbinë dhe ai në transfertë ndaj Letonisë na kanë ulur ndjeshëm shpresat për kualifikim në Botërorin 2026.
Kjo “frikë” për të ndryshuar po na kushton shtrenjtë.

Rasti Bajrami është vetëm maja e ajsbergut. Anis Mehmeti po shkëlqen në Championship me Bristol City, por ende nuk ka marrë ftesë prej 2 vitesh tashmë.
Historia na ka treguar se nuk duhet të luajmë me zjarrin, një brez i tërë mund të na ikë nga duart nëse nuk menaxhohemi siç duhet.

Nëse shohim në retrospektivë, nuk janë lojtarët ata që tradhtojnë Shqipërinë. Është sistemi që i detyron ata të zgjedhin diku tjetër. Federata dhe stafi teknik duhet të kuptojnë se futbollisti modern ka alternativa. Nëse nuk ndihet i vlerësuar dhe i përfshirë, nuk do të presë pafundësisht.

Adrian Bajrami nuk është “armik”. Ai është një sinjal alarmi. Një paralajmërim se Kombëtarja jonë ka nevojë për një strategji më të guximshme, për më shumë besim te të rinjtë dhe për më pak frikë nga ndryshimet. Sylvinho ka treguar se mund të bëjë gjëra të mëdha, por nëse ngelet peng i konservatorizmit, atëherë do të kujtohet vetëm për suksesin e Euro 2024 dhe jo për ndërtimin e një ekipi që e çon Shqipërinë në një tjetër nivel.
Dhe atëherë, para se të fajësojmë lojtarët si “tradhtarë”, duhet të pyesim veten: a jemi ne ata që i kemi tradhtuar të parët?

Top Channel